Meta: I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Borrell
Valbona Thaçi/ RTKlive
(E plotësuar) Edhe ish presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, lidhur me dokumentet e identifikimit.
Meta ka thënë se është i mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell sipas të cilit "Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe.
Ai ka shtuar se Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave evropiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.

Presidenti Begaj: Marrëveshja, në interesin e të gjithë qytetarëve
Jeton Musliu/ RTKlive
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka komentuar arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, lidhur me dokumentet e identifikimit.
Presidenti Begaj shprehet se marrëveshja është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve.
“I kënaqur kur dëgjova lajmet për marrëveshjen, që lehtëson udhëtimin mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve. Mirënjohje për dialogun që çon në rezultate konkrete dhe mirënjohës për mbështetjen BE-së dhe SHBA-së.”- shkruan presidenti Begaj.

Berisha: Marrëveshja për ID-të, hap i rëndësishëm në drejtim të duhur
Marrëveshjen e sotme Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së dhe ndihmës së SHBA-së, për kalim të kufijve mes dy vendeve me dokumente të shteteve respektive, e ka përshëndetur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.
Ish kryeministri i Shqipërisë deklaroi se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.
“Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumenteve bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumenteve të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve”, deklaroi berisha në një postim të llogarinë e tij në facebook.
“Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve”, rikujtoi Berisha.
Sipas tij, me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, si dhe te Sekretarit te Përgjithshëm te Nato-s Stoltenberg, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të medha midis dy vendeve.
“Vetëm nje Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurt në BE”, deklaroi Berisha.

Rama: Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë
Arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese, është përshëndetur edhe nga kryeministri, Edi Rama. Nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare e vlerëson këtë marrëveshje si një "lajm të bukur", i cili u mundësua falë dialogut. Rama uron të dyja palët që ky zhvillim ta çojë dialoguin në një nivel të ri.
“Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët, uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”- shkruan kryeministri Rama.
Lajmi më parë u bë i ditur nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, i cili, nëpërmjet një një postimi në Twitter shkroi: “Ne kemi një marrëveshje. Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i urojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”.























