Borrell: Kurti e Vuçiq treguan lidership-sot një ditë shumë e mirë|Video
Jeton Musliu /RTKLive
Ditë shumë të lumtur e ka cilësuar Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, për hyrje/ dalje në të dyja vendet.
Përveç me postim në twitter, ai edhe me një video-mesazh, ka përgëzuar Kosovën e Serbinë, përkatësisht kryeministrin Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për siç ka thënë ai, lidership të treguar.
Duke risjellë në vëmendje përpjekjen e javëve të fundit të BE-së nëpërmjet emisarit Miroslav Lajçak por edhe atij amerikan, Gabriel Escobar, Borrell tha se BE-ja ka shumë probleme, në këtë kohë të luftës në Ukrainë dhe se një tjetër më shumë nuk i duhet në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Ai shprehu besimin se me këtë lidership të treguar nga Kurti e Vuçiq, do të gjendet edhe marrëveshja për targat e automjeteve.
Duke treguar se tashmë me këtë marrëveshje, shtetasit e Kosovës dhe Serbisë që bartin letërnjoftime të shteteve respektive, do të kalojnë lirshëm në kufijtë e të dy vendeve pa pasur nevojë për dokumente shtesë, Borrell u shpreh se është bërë një punë e shkëlqyer.
Më poshtë, RTKlive sjell të plotë deklarimin e Josep Borrell dhënë në video-mesazhin e tij.
Josep Borrell
Jam i lumtur të njoftoj se pas javës së kaluar dhe takimeve të ngjeshura në Bruksel dhe përpjekjeve intensive në dialog në Prishtinë e Beograd, ditëve të kaluara, sot kemi marrëveshje për lëvizje të lirë të arritur ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Nën lehtësimin e dialogut nga BE-ja, Serbia ka rënë dakord që të tërheq së lëshuari dokumentet e veçanta për hyrje/dalje për mbajtësit e ID-ve nga Kosova dhe Kosova është dakorduar që të mos i lëshojë ato për bartësit e ID-ve nga Serbia. Serbët e Kosovës ashtu sikurse të gjithë qytetarët e tjerë, do të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke përdorur kartat e identitetit. BE-ja ka marrë garanci nga kryeministri Kurti në lidhje me këtë çështje. Jam shumë I lumtur që kemi gjetur zgjidhje evropiane që lehtëson lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës e Serbisë. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë dhe dua të falënderoj të dy liderët që e bën të këtë të mundur dhe në mënyrë të veçantë presidentin Vuçiq, që ka treguar sot përgjegjshmëri dhe liderëship. Ditët e kaluara kanë qenë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe SHBA-së. Prandaj dua të falënderoj partnerët tanë amerikanë për mbështetjen ndaj BE-së si lehtësuese në këtë dialog. E gjithashtu dua të falënderoj Miroslav Lajçak për punë të shkëlqyer që ka bërë. Por kjo punë për lirinë e lëvizjes, nuk ka përfunduar. Problemet ende presin. Pres nga të dy liderët të vazhdojnë të tregojnë pragmatizëm dhe konstruktivitet në mënyrë që të gjejnë zgjidhjen për targat e automjeteve. E kam thënë shumë herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat me të cilat BE-ja po përballet, ne në Evropë nuk kemi nevojë për më shumë probleme apo tensione. Ne kemi nevojë për zgjidhje edhe për Ballkanin Perëndimor dhe sot kemi arritur një zgjidhje. Ka probleme që presin, dhe duhet të vazhdojmë t’i zgjidhim, por sot është një ditë shumë e mirë dhe kisha një lajm kaq të mirë për të dhënë. Faleminderit të gjithëve!
























