Mehaj bisedë me Wesley Clark, diskutojnë zhvillimet e fundit gjeopolitike
RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme e ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-komandantin suprem të NATO-s, Wesley Clark.
Ai ka thënë se përgëzimet e gjeneralit Clark për sukseset tona janë inkurajim i madh dhe motivim i veçantë për të vazhduar edhe më fuqishëm drejtë synimeve tona.
“Në bisedën e sotme telefonike me Gjeneral Clark, diskutuam për zhvillimet e fundit gjeopolitike, me fokus në rolin e Kosovës në këto rrethana sfiduese për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Gjeneral Clark më përgëzoi për spektrin e gjerë dhe të suksesshëm të angazhimeve tona, duke shprehur edhe me këtë rast, përkrahjen e plotë dhe të pakursyer nga eksperienca profesionale dhe autoriteti i tij për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Ai tutje i ka dhënë mirënjohje të përjetshme gjeneralit Clark, të cilin e ka quajtur hero, teksa ka falënderuar të gjitha autoritetet vendim-marrëse amerikane për gjithçka që kanë bërë dhe janë duke bërë për Kosovën dhe botën demokratike.
“Kosova dhe populli i saj nuk harron mbështetjen tuaj, prandaj është dhe do të jetë si një trup i vetëm gjithmonë përkrahë jush, si vendi dhe populli më proamerikan në botë”, ka thënë tutje Mehaj.























