Vazhdon greva, sindikalistët do t’i drejtohen gjykatave nëse u ndalen pagat
BKT
Lajme

Vazhdon greva, sindikalistët do t’i drejtohen gjykatave nëse u ndalen pagat

Ardiana Hajzeri / Radio Kosova

Greva e punëtorëve të institucioneve publike në vend, ka vazhduar përkundër paralajmërimit të qeverisë se punëtorëve në grevë, do t’u ndalen pagesat. Drejtues të BSPK-së kanë bërë të ditur se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë. 

Greva e filluar të enjten nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës po vazhdon edhe sot. Këtë e kanë konfirmuar për Radio Kosovën drejtues të  BSPK-së. E,  paralajmërimin e  Ministrisë së Financave se të gjithë të punësuarit që janë bërë pjesë e grevës do t’u ndalet pagesa, kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, po e sheh si kërcenim dhe se në rast të zbatimit do t’u drejtohen organeve të drejtësisë dhe Unionit të Sindikatave Evropiane:

“Patjetër do t’iu drejtohemi gjykatave përgjegjëse por do t’i drejtohemi në të njëjtën kohë dhe Unionit të Sindikatave, sepse ne jemi pjesë e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës. Dhe për këtë grevë në i kemi njoftuar në vazhdimësi dhe kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm”, ka theksuar Jasharaj për Radio Kosovën.

Kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës janë që deri në miratimin e Ligjit për Paga, të gjithë punëtoret e sektorit publik të marrin një shtese prej 100 euro në muaj,  nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe nënshkrimin e marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse.


MË SHUME NGA Lajme