Rama: Turp i madh që kosovarët ende janë me regjim vizash |Video
BKT
Foto: Edi Rama/facebook
Lajme

Rama: Turp i madh që kosovarët ende janë me regjim vizash |Video

Jeton Musliu / RTKlive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se Kosova dhe Shqipëria mund të kenë dallime në ideologji, por tha se ekziston fryma e bashkëpunimit nga të dyja palët.

Një deklarim të tillë ai e bëri pas pyetjes së gazetarëve nëse ka mospërputhje në rritje midis autoritetit të Shqipërisë dhe të Kosovës sa i takon marrëdhënies me Beogradin.

Kryeministri Rama po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Ndër të tjera, me fjalën –kënaqësi, ai e përshkroi zhvillimin e fundit të dhënies fund të ngërçit ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Duke folur për Kosovën, kryeministri Rama deklaroi se nuk është i sigurt që do të ketë një përshpejtim në përgjithësi, për shkak të arsyeve gjeopolitike.

“Nga ana tjetër sa i takon Serbisë dhe Kosovës, mendoj që ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza, ndërkohë që e bënin këtë kur ishin nën një regjim barbar dhe tani çlirimtaret (vendet e BE-së) e mbajnë peng duke mos i dhënë liberalizimin e vizave”, deklaroi kryeministri Rama.

Duke folur para mediave edhe për dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri shqiptar u shpreh se është i bindur se nuk ka vlerë të humbet kaq shumë kohë.

“Të humbet kaq shumë energji, në vend që të ulemi e të zgjidhim problemet siç u ulën në fund të fundit”.

I pyetur nëse ka një përputhje në rritje midis autoritetit në Shqipëri dhe në Kosovë, sa i takon marrëdhënies me Beogradin, kryeministri Rama deklaroi nga Sllovenia, se nuk ka një gjë të tillë si autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Janë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptaret në Kosovë si autoritete të shteteve. Nuk ka mospërputhje. Natyrisht kemi disa dallime që është normale sepse jemi dy shtete të ndryshme dhe mbështesim plotësisht Kosovën dhe autoritetet kosovare kur vjen fjala për kërkesën e tyre këmbëngulëse për njohje por kemi një pikëpamje paksa ndryshe se si arrihet aty”, tha Rama.

Forumi zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e 21-të.

 


MË SHUME NGA Lajme