Abdixhiku pranon ftesën e Kurtit për takim
BKT
Foto: Lumir Abdixhiku/ Facebook
Lajme

Abdixhiku pranon ftesën e Kurtit për takim

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Kryetari i LDK-së e ka quajtur të vonuar ftesën, por ka thënë se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën, prandaj e pranon atë.

Në shkrimin e tij ku e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së martës të ftuar nga kryeministri, Albin Kurti, lideri i LDK-së në opozitë ka shkruar se ka pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut.

“Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier, sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së publiku kosovar mbetet ende i painformuar mbi këtë proces, siç mbetet i painformuar edhe Kuvendi i Kosovës.

“Dy javë pas takimit në Bruksel, kryeministri ka zgjedhur të informoj spektrin politik në vend. Këtë qasje të mbyllur e kemi kritikuar gjithherë edhe kur ky kryeministër ndante opozitën me ne. Qëndrimi ynë për dialogun është i qartë dhe i pandryshueshëm. Ne besojmë se dialogu është interes kombëtar i Kosovës, dhe jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë. Besojmë se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj. Po ashtu, besojmë se dialogu i copëzuar, për tema teknike e jo për kornizën e gjithmbarshme, është në interes të Serbisë edhe atëherë kur arrihen fitore të pjesshme për ne. Sot Kosova duhet të ulet e insistojë për marrëveshjen finale, me SHBA-të dhe BE-në si garantuese të saj, ka shkruar kreu i LDK-së.

Sipas prijësit të LDK-së është detyrë e kryeministrit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese në përmbylljen e këtij procesi vital për shtetin, derisa ka thënë se LDK do të mbështesë çdo marrëveshje finale që plotëson të tri kriteret e padiskutueshme: respektimin e plotë të Kushtetutës, ruajtjen e integritetit territorial të vendit dhe sigurimin e njohjes reciproke.

“Kemi mbështetur vendimet që synojnë shtrirjen e ligjshmërisë e mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Nga tema e referendumit e deri tek ajo e reciprocitetit, LDK ka dhënë mbështetje të qartë dhe të menjëhershme në komunikim të brendshëm. Të njëjtin mesazh mbështetjeje e kemi përçuar në çdo komunikim tonin me faktorin ndërkombëtar. Kjo mbështetje nga eksponentë të partisë në pushtet është përdorur me qëllime keqinformimi, sa të jepej përshtypja se relacioni s’bëhet me Serbinë, por me opozitën në vend; ndërsa nga zërat kritik të shoqërisë mbështetja jonë është parë si shenjë e opozitarizmit të dobët”, ka shkruar ndër të tjera kreu i LDK-së.

Përmes këtij shkrimi, Abdixhiku ka thënë se shtetin dhe pushtetin e dallojnë në thelb të veprimit politik.

 “Jo se është dalluar në të shkuarën, por s’jemi si ta, s’duam të bëhemi si ta”, ka shkruar në letrën e konfirmimit për takim, kreu i LDK-së.

Përgjigje pozitive gjatë ditës për takimin ka dhënë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

 


MË SHUME NGA Lajme