Haxhiu: Edhe një krim tjetër, edhe një viktimë, edhe shumë dhunues të lirë
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar lidhur me rastin e dhunimit të së miturës 11 vjeçare nga pesë të dyshuar në Prishtinë.
“Tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurte sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshten e harrohen. Fatkeqësisht, ky është ende realiteti ynë i cili duhet të ndryshojë orë e çast, dhe për këtë duhet angazhim serioz i institucioneve bashkërisht por edhe i gjithë shoqërisë”, ka shkruar Haxhiu.
Ministrja ka ftuar institucionet relevante që të trajtojnë këtë krim të rëndë, duke dëshmuar sipas saj sa më parë përkushtim dhe rezultat në përndjekje dhe ndëshkim ndaj dhunuesve të të gjitha formave.
“Si Ministri e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa na jep kompetencë ligji, të kryejmë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë”, ka shkruar Ministrja Haxhiu.
Sipas saj policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë dhe se siç ka shkruar Haxhiu ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve.
























