Vazhdon greva, Qeveria e vendosur të mos i kompensojë orët e humbura |Video
Venera Adili Xhoxhaj/ RTK
Deklaratat e ministrit të Financave Hekuran Murati, që sindikalistët të kompensohen nga sindikatat për ditët e grevës, janë të papranueshme për sindikalistët. Ata madje i quajnë kërcënuese dhe mënyrë për ta dobësuar grevën si proces. Ndërkohë, greva po vazhdon në nivel vendi në institucionet arsimore.
Mosmarrëveshjet e drejtuesve të institucioneve dhe atyre të sindikatave mund të faturohen nxënësve.
Aq sa janë këmbëngulës zyrtarët qeveritarë për ndërprerje të grevës, po aq të vendosur janë edhe sindikalistët kur thonë se nuk do të ndalojnë deri në plotësimin e kërkesave që kanë.
“Greva do të mbyllet kur të thoni ju jo në mënyrë të fshehtë por atëherë kur plotësohen kërkesat tona”, tha Rrahman Jasharaj, Kryetar i SBASHK-ut.
Ishte fillimisht kryeministri Kurti që tha se nuk është koha për greva e më pas zv/ministri i Arsimit, i cili nuk arsyetoi ndërprerjen e procesit mësimorë.
Ndërkohë, kërcënim e deklaratë me tendencë për të dobësuar procesin e grevës i ka quajtur Jasharaj deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati kur tha se grevistët nuk do të paguhen nga institucionet por ata duhet kompensohen nga sindikatat.
Po ashtu ai tha se megjithatë kjo çështje do të diskutohet në këshillin grevistë.
Jasharaj në një vizitë që kishte nëpër komuna ndaloi në Gjilan për të parë zhvillimet derisa theksoi se gjilanasit mund ta kenë më të vështirë pasi, sipas tij udhëhiqet nga partia në pushtet.
Por nga aty mori një përgjigje.
“E di që Gjilani është pak më vështirë”, tha Jasharaj
“Nëse ish ndal arsimi nuk ish kon as ai kryeministër pse po thotë është vakti i punës”, tha Mehmet Shaqiri, Mësimdhënës..
Ndërkohë, sipas kryetarit të këshillit grevistë Reshit Kushaj greva është duke u respektuar në të gjithë vendin në institucionet arsimore.























