Zhvillimet që sollën takimin e nesërm të Kurtit me opozitën në orën 15:00
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Zhvillimet që sollën takimin e nesërm të Kurtit me opozitën në orën 15:00

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas gati një viti bllokadë në procesin e dialogut, me 18 gusht, u gjend përballë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në tryezën dialoguese, në kryeqendrën evropiane, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Takimi mes udhëheqësve nga Kosova e Serbia, u përshpejtua për shkak të tensioneve të krijuara në fundin e korrikut në veri të Kosovës.

Takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit kosovar e presidentit serb,  përfundoi pa rezultate për çështjen e targave e dokumenteve për hyrje-dalje, atë të enjte të 18 gushtit.

Prandaj, kjo i solli në Prishtinë pak ditë më pas të dy emisarët, amerikanin Gabriel Escobar e sllovakun Miroslav Lajçk të BE-së.

Ata zhvilluan takime me krerët shtetëror e liderët opozitarë në Kosovë.

Por, diskutimet më të vështira ishin në Serbi.

Kur gjithçka u duk se dështoi, lajmi i mirë u dha të shtunën e 27 gushtit, ditë e cila zbardhi me lajmin e publikuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, se shteti serb ka vendosur të pranojë dokumentet kosovare të identifikimit (letërnjoftime), dhe marrëveshja do të nisë së zbatuari nga 1 shtatori.

Vendimi u duartrokit nga ndërkombëtarët kurse drejtuesit e shtetit të Kosovës thanë se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel, është vetëm reciprociteti.

Në anën tjetër, opozitarët në Kosovë e kanë kritikuar kryeministrin se dialogu po rrëshqet drejtë atij teknik, dhe marrëveshjet po riciklohen.

Kjo ka qenë arsyeja pse kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka refuzuar ftesën e kryeministrit Kurti, për takim të martën nga ora 15:00.

Kryeministri Kurti, këtë takim e ftoi për t’i njoftuar ata për procesin e dialogut.

“PDK-ja është e gatshme t’i përgjigjet një takimi ku do të flitet për marrëveshjen finale me njohje recioproke”,ka thënë kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi.

Por ndryshe nga PDK-ja, pasditen e së martës në takim do të jenë edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Pavarësisht përgjigjes pozitive, LDK-ja ka kritikuar procesin e drejtuar nga Albin Kurti. Abdixhiku ka thënë se ka pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës për çka tha se informim mori vetëm nga  aleatët ndërkombëtarë.

Në kryeministri, vendin ku do të mbahet  takimi, do të jetë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe pse sipas tij,  kryeministri Kurti e përjashtoi opozitën në tërësi nga çfarëdo konsultimi e informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel.

Para se të ftonte opozitën në takim, kryeministri Kurti, për takimet në Bruksel ka njoftuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së në Kosovë të cilëve u prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.

Takime mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb Aleksandër Vuçiq pritet të ndodhin çdo muaj.

Të paktën kështu kanë thënë nga pala evropiane se ky ishte zotim i dy liderëve nga Kosova e Serbia.


MË SHUME NGA Lajme