Analistët: Për çështjen e dialogut nuk duhet ketë interesa partiake
BKT
Foto Arkiv/ RTKlive
Lajme

Analistët: Për çështjen e dialogut nuk duhet ketë interesa partiake

Kosovare Gashi /Radio Kosova

Sot zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me liderët opozitar, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së, por jo edhe me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi, pasi ai refuzoi ftesën e Kurtit. Temë e diskutimit do të jenë bisedimet e 18 gushtit në Bruksel.

Ndërkohë njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se për çështjen e dialogut nuk duhet ketë interesa partiake, por të ketë transparencë.

Pas gati dy javësh të takimit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për dokumentet dhe targat e automjeteve, kryeministri Kurti ka ftuar liderët opozitarë sot në takim, për t’i njoftuar mbi rrjedhën e diskutimeve të 18 gusht por edhe për marrëveshjen për dokumente. Takimit i janë përgjigjur lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, por jo edhe lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.

Njohësit e rrethanave politike në vend vlerësojnë se për dialogun nuk duhet të ketë interesa partiake. Artan Muhaxheri tha për Radio Kosovën se çështja e dialogut duhet t’i bëjë bashkë opozitën dhe pushtetin.

“Çështja e dialogut gjithmonë ka qenë mbi partiake dhe si e tillë është dashur të trajtohet, prandaj edhe secili vendim i madh është dashur që të merret në bashkëpunim edhe me opozitën, por deri me tani ftesat për bashkëpunim kanë munguar”, tha ai.

Edhe Dorajet Imeri vlerëson se komunikimi për interesin kombëtar duhet të jetë i vazhdueshëm.
“Konsideroj që çdo veprim i kryeministri Kurti do të jetë në linjën e informimit për atë se çfarë po ndodh. Sigurisht se disa gjera për shkak të interesit publik dhe kombëtar nuk mund të thuhen publikisht, por duhet të thuhen ashtu siç shihen në mënyrën strategjike nga Qeveria. Komunikimi ndërmjet liderëve opozitarë dhe kryeministrit Kurti, duhet të jetë i vazhdueshëm”, tha ai.

Muhaxheri e Imeri konsiderojnë që kryeministri Kurti duhet të jetë më transparent lidhur me procesin e dialogut dhe për atë se çfarë diskutohet në Bruksel.
 


MË SHUME NGA Lajme