Videoinstalacioni artistik, me mesazh për gjetjen e të zhdukurve nga lufta
Shqipe Gashi/RTKlive
30 gushti, Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Forcë, Kosovën e gjeti me mbi 1 mijë e 600 persona ende të pagjetur, që nga përfundimi i luftës së vitit 1999.
Familjarët kërkojnë që çështja e të pagjeturve të mos politizohet, por të trajtohet si çështje humane.
Artisti Mentor Berisha, përmes një videoinstalacioni ka vendosur që në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, t’i përkujtojë të gjithë ata që nuk janë.
“Ky videoinstalacion vjen si shenjë proteste, që pas më shumë se 20 vjet nga përfundimi i luftës të Kosovës, fati i personave të zhdukur ende nuk është zbardhur. Përmes klithmës pa zë të personazheve, bëhet thirrje për ndihmë në ndriçim të fatit të tyre”, thotë Berisha për RTKlive.
Ai tregon se personazhet në video, paraqiten në formë të gojës në një errësirë krejtësisht totale, duke u përpjekur të artikulojnë fjalët: Please, help, hope me shpresë që zëri i tyre të dëgjohet.
“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme institucionale, ne ende vazhdojmë të shënojmë 30 gushtin, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur”, thotë Berisha.
Ai tregon se ky projekt është i mbështetur nga Komuna e Prishtinës .
Kur lufta e Kosovës 1998-1999 përfundoi, gjithsej 6,044 persona figuruan të zhdukur. 23 vjet më vonë, më shumë se 1,600 prej tyre, kryesisht shqiptarë etnikë, por edhe serbë dhe romë, ende nuk janë gjetur.























