Ligji për paga ende në procedura paraprake, nuk dihet kur hyn në fuqi-Video
Visar krasniqi RTK
7 shtatori do të jetë dita e fundit e diskutimeve paraprake për projektligjin për pagat dhe atë për zyrtarët publikë. Këto janë procedura dyjavore, derisa një ligj del në diskutim publik.
Më 17 gusht, ministri Sveçla ka njoftuar sa ka përfunduar projektligji për paga dhe se ka nisur diskutimet paraprake. RTK ka kërkuar sqarime prej ministrive për të shpjeguar konsultimet paraprake dhe konsultimet publike. Ndërsa sindikalistët thonë se nuk janë në dijeni se kur do të procedohet në Kuvend ligji i pagave, por ata janë të vendosur ta vazhdojnë grevën. Ajo që mbetet e paqartë është hyrja në fuqi e këtij ligji.
Në anën tjetër Ministria e Punëve të Brendshme i ka sqaruar procedurat.
“Projekt ligji për Pagat në Sektorin Publik është proceduar në konsultime paraprake me datë 17 gusht 2022. Këto konsultime zgjasin pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike, deri me 7 shtator 2022. Pas përfundimit të konsultimeve paraprake, sipas legjislacionit në fuqi, Projekt Ligji do të lansohet në platformën e konsultimeve publike. Pas përfundimit të këtyre procedurave, Projektligji do të dërgohet në Qeveri për shqyrtim dhe votim”, thuhet në sqarimin e Ministria e Punëve të Brendshme.
Pas diskutimeve paraprake, projektligji për paga duhet t’u nënshtrohet diskutimeve publike.
“Pas pranimit të komenteve në këto dy (2) faza, Ministria do të mbajë takime për të adresuar komentet eventuale dhe pas finalizimit të projektligjit, do ta procedojë të njëjtin në Qeveri për shqyrtim dhe votim”, ka sqaruar ministria.
Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se Qeveria e ka proceduar ligjin e pagave. Por nuk e saktësoi se kur do të hyjë në fuqi ky ligj.
“Si qeveri ne tashmë kemi procedu Ligjin për Paga dhe është në konsultime të brendshme fillimisht, pastaj do të dalë edhe në konsultime publike dhe me afat do të procedohet edhe në Kuvend”, tha Murati.
Por, në gjithë këtë diskutim, sindikalistët thonë se është turp për Qeverinë që nuk i ka njoftuar ende për ligjin për pagat.
Rrahman Jashari, kryetar i Këshillit Grevistë BSPK tha se askush nuk e di saktë se kur do të hyjë në fuqi ky ligj, porse sipas tij, do të duhej të turpërohen për një gjë të tillë.
“Pra ish dashtë mu trupru. Askush nuk e din saktë, paga e kujt sa është, secili është koeficienti, ajo që po them është se nuk dihet kur hynë në fuqi”, tha Jasharaj.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur grevë të përgjithshme me kërkesat ndaj Qeverisë për miratim të ligjit të pagave, ligj për sigurime shëndetësore dhe kompensim nga 100 euro deri në miratim të ligjit.























