Tuhina: Tash presioni mund të drejtohet nga Kosova -Video
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Kosova mund të gjendet përballë një presioni në kuadër të dialogut, tash pas arritjes së marrëveshjes për dokumentet, kjo pasi nga pala evropiane po konsiderohet se ishte Serbia ajo që bëri lëshime për arritjen e kësaj marrëveshje.
Prandaj siç tha korrespodentja e RTK-së, Gjeraqina Tuhina gjithçka qon në drejtimin se tani pritet që lëshime të bëhen nga pala kosovare më shumë se sa ajo e Serbisë.
“Tani sërish topi kthehet te Prishtina sepse ka gjasë që presioni më i madh të bëhet ndaj Kosovës sepse për çështje të letërnjoftimeve konsiderohet se ishte Serbia ajo që bëri lëshime përfshirë edhe në prononcimet e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell, që në veçanti përshëndeti gatishmërinë e presidentit Vuçiq që të arrijë marrëveshje dhe gjithçka qon në drejtim se tani pritet që lëshime të bëhen nga pala kosovare më shumë se sa ajo e Serbisë”.
Ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës i nivelit të lartë në Bruksel, por sipas Tuhinës atje po punohet që të gjendet një zgjidhje sa i përket çështjes së targave, si temë më e nxehtë se sa ajo e dokumenteve.
“Vetë fakti që shefi i diplomacisë evropiane Borell pas arritjes së marrëveshjes të shtunën e nënvizon domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes mbi targat, tregon se sa e rëndësishme është kjo për Brukselin”, ka thënë Tuhina.
Derisa autoritetet e Kosovës kanë dy muaj kohë të gjejnë një zgjidhje të mundshme, sipas Tuhinës kjo e lë një komoditet tek zyrtarët e Brukselit në kuptim të kohës që të gjendet zgjidhja.
“Akoma nuk është e qartë se çfarë propozime kanë prezantuar palët, apo pala evropiane. Merret vesh jo zyrtarisht se një nga idetë e palës evropiane përkatësisht Lajçakut ka të bëjë me gjetjen e zgjidhjes ku do të ishin targat status neutral e kjo shkon në përpurthje me qëndrimin e BE-së sa i përket statusit të Kosovës së paku për momentin, marr parasysh pesëshen mosnjohëse dhe si një propozim që eventualisht do të mund të pranohej nga të dyja palët. Sido që të jetë nuk mund të thuhet se është çështje kryer, i mbetet palëve që të dalin me propozime dhe të shihet se cili opsion është më i pranueshëm si për Kosovën ashtu edhe Serbinë”, ka thënë ajo.
E pyetur nëse ka sinjale se deklarata për të zhdukurit mund të jetë një nga marrëveshjet e radhës mes liderëve nga Kosova e Serbia, Tuhina tha se ka gjasë që kjo të jetë temë në takimet e ardhshme nëse jo specifikisht në takimin e radhës.
“Me muaj të tërë Miroslav Lajçak kishte insistuar se deklarata për të zhdukurit është gjysmë fjalie afër apo gjysmë fjalie larg pajtimit, por duket se palët janë pajtuar sa i përket tekstit të marrëveshjes përfundimtare, por në dritë të tensioneve që dominonin deri të shtunën mes Kosovës e Serbisë nuk janë marr me ketë çështje se nuk dëshironin që një çështje kaq e rëndësishme të binte nën hije të tensioneve dhe eskalimit të mundshëm. Andaj ka gjasë që kjo deklaratë të jetë e gatshme e mbase mund të jetë temë në takimin e radhës së liderëve këtu në Bruksel, tash kur Lajçak mëton që çdo muaj t’i mbledhë ata nëse jo të arrijnë në secilin takim marrëveshje të caktuar të bisedojnë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë”, ka përfunduar Tuhina.























