Protestuesit para Qeverisë: Duam veprime e jo statuse Facebooku!
A.Sejda/J.Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Protestuesit kanë marshuar rrugëve të kryeqytetit në shenjë proteste, pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares.
Pasi kaluan të ndërtesa qeveritare, ish Pallati i Mediave ku hodhën ngjyrë të kuqe, pastaj te ndërtesa e Prokurorisë së Shtetit e stacioni policor, ku gjithashtu hodhën ngjyrë të kuqe në shenjë proteste, pjesëmarrësit e marshit u ndalen të ndërtesa e Qeverisë në qendër të Prishtinës.
“Duam veprime jo statuse facebooku”, ishte thirrja e protestuesve para zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Trina Binaku, aktiviste, tha se shteti ka dështuar që t’i ndëshkojë dhunuesit, duke mos u siguruar vajzave jetë të qetë.
Ajo deklaroi se përdhunimi i vajzës 11 vjeç nga pesë burra, është vazhdim i një sistemi patriarkal.
“Ky sistem po prodhon vazhdimisht dhunues”, duke shtuar se ka pasur raste kur këta përdhunues janë lënë të lirë nga shteti.
Përveç në Prishtinë, protestë do të mbahet edhe në Tiranë e Shkup.
Në Tiranë protestuesit do të mblidhen në sheshin “Nënë Tereza” në orën 18:30, ndërkohë në Shkup në orën 17:00.
Protestuesit hedhin ngjyrë ndaj Ministrisë së Drejtësisë e Prokurosisë
Protestuesit janë duke marshuar në rrugët e Prishtinës dhe grave e vajzave u janë bashkuar edhe një numër i madh i qytetarëve.
Protesta që po mbahet si reagim ndaj përdhunimit të vajzës 11 vjeç nga pesë persona, ngjarje e ditëve më parë që ka tronditur opinionin, po vazhdon me marshimin e mijëra protestuesve në rrugët e Prishtinës.
Nga sheshi “Zahir Pajaziti” ku edhe u mblodhën,protestuat kanë shkuar në drejtim të ish pallatit të Medieve në kryeqytet, ku janë të vendosura disa ministri të Qeverisë së Kosovës e mes të cilave edhe Ministria e Drejtësisë.
Nën brohoritjet “Edhe sa?”, protestuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të xhamave të ndërtesës qeveritare.
Protesta në përgjithësi është e qetë dhe pjesëmarrësit janë duke marshuar në rrugën “Luan Haradinaj” ku janë ndalur edhe te ndërtesa e Prokurorisë së Shtetit.
Edhe aty protestuesit janë duke hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të ndërtesës së prokurorisë.
Policia vazhdimisht po vëzhgon situatën.




Përdhunimi i vajzës 11 vjeç, nxjerr qindra gra e vajza në protestë
Ka filluar në Prishtinë protesta për mbrojtjen e vajzave dhe grave. Kjo pas dhunimit seksual të vajze 11 vjeç, nga pesë persona, në vende të ndryshme.
Protesta është organizuar nga Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe ka filluar në orën 12:00, duke u mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Protestuesit që janë nisur nga aty drejt rrugës “Luan Haradinaj” ku ndodhet edhe stacioni policor kryesor, në duar po mbajnë pankarta të ndryshme me thirrje si “Përdhunuesit në burg”, “Çika e gra, jemi bashkë krah për krah”, “Nuk ka dështu nana, ka dështu shteti”, etj.
Protestës u janë bashkuar edhe shumë figura të njohura nga jeta publike ne vend, si politikanë, artistë, këngëtarë etj.



Me moton `Mbrojtje për vajza dhe gratë`, sot protestohet në Prishtinë
Sot do të organizohet një protestë për mbrojtjen e vajzave dhe grave, pas rastit të dhunimit seksual ndaj një të miture 11 vjeçare.
Protesta është organizuar nga Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, në ora 12:00.
Sipas kësaj organizate ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden.
“Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave”, thuhet, mes tjerash, në njoftim.
Duke kritikuar organet institucionet vendore në paaftësinë e tyre në mbrojtjen e vajzave dhe grave, kjo organizatë fton qytetarët t’i bashkohen protestës së tyre, me kërkesat për mbrojtje më të sigurt, pastaj trajtimi i drejtë i rasteve të dhunës ndaj grave, duke kërkuar dënime më meritore ndaj dhunuesve, si dhe legalizimin e përdorimit të gazit irritues për vetëmbrojtje.























