Interesim për Ballkanin Perëndimor, deri më tash 6 emisarë për këtë rajon
Jeton Musliu/RTKlive
Si asnjëherë më parë në dekadën e fundit, rajoni i Ballkanit Perëndimor është vënë nën interesimin e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe vendeve perëndimore veç e veç.
Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, në një luftë të paprovokuar nga kjo e fundit, ka shtuar edhe më shumë dinamikën e ngjarjeve në këtë drejtim.
Kjo pjesë e Evropës e mbetur për shumë arsye ende jashtë BE-së, është vënë nën llupën evropiane, amerikane, gjermane, britanike, greke e sllovene.
Ndërkohë, mundësitë janë që javëve që vijnë, emisarë specialë për Ballkanin Perëndimor të caktojnë edhe vende të tjera si Franca apo Italia.
Sidoqoftë, e gjitha nisi kur BE-ja emëroi sllovakun Miroslav Lajçak, ish ministër i Punëve të jashtme të Sllovakisë, si emisar për Ballkanin Perëndimor, me detyrë te veçantë, si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi.
Emërimi i tij kishte ndodhur krahas atij amerikan, Richard Grenell, të cilin ish presidenti Donald Trump e kishte caktuar si emisar special për dialogun Kosovë-serbi, e atë Metheë Palmer për Ballkanin Perëndimor, raporton RTKlive.
Me ndryshimin administratës amerikane, e ku në Shtëpinë e Bardhë hyri presidenti aktual Joe Biden, detyra e Palmer, por edhe ajo e Grenellit, iu caktua Gabriel Escobarit, kurse si ndihmesë për të, në serbi u dërgua si ambasador Christopher Hill e në Kosovë Jeff Hovennier, të dy këta diplomatë të karrierës dhe këtë zonë në Evropës e njohin nga fillimi i viteve të 90-ta.
Ndërkohë, edhe pse vetë doli nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe nuk e ka humbur interesimin për Ballkanin perëndimor.
Ajo caktoi Sir Stuart Peach , një marshall i Forcave Ajrore, si të emisar special për Ballkanin Perëndimor.
Nuk vonoi shumë dhe Gjermania ndoqi hapat e njëjtë duke emëruar edhe ajo një emisar special për këtë rajon, në këtë rast Manuel Sarrazin.
Por ata nuk mbetën të fundit. Në fakt, edhe shtete si Greqia e së fundi edhe Sllovenia caktuan emisarë specialë për Ballkanin Perëndimor, raporton RTKlive.
Në qershor të këtij viti, Greqia caktoi ambasadoren e vet në Rumani, Sofia Grammata, si emisare speciale për Ballkanin perëndimor.
Ndërkohë, edhe Sllovenia, dy ditë më parë njoftoi se diplomati Anzej Franges, është caktuar nga ministrja e Punëve të Jashtme të këtij shteti, tanja Fajon, si emisar special për Ballkanin Perëndimor.
Kështu, aktualisht janë gjashtë emisarë specialë nga vedne të ndryshme që janë caktuar të merren me këtë pjesë të Evropës, ndonëse deri më tash, rezultatet në tërësi si rajon, në përparim drejt integrimeve evropiane, nuk duken edhe aq të mëdha.























