Vuçiq: Marrëveshja një hap i vogël për shmangien e tensioneve -Video
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Një ditë para fillimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në lidhje me letërnjoftime, në pikat kufitare më Kosovën, nga ana e Serbisë mund të shihen tabelat me njoftimin se “lejimi i përdorimit të dokumenteve të identitetit të lëshuara nga Prishtina po bëhet për të lehtësuar lirinë e lëvizjes”.
Në këtë njoftim, në gjuhen serbe dhe angleze, shkruan se ky veprim nuk mund të interpretohet si devijim nga Rezoluta 1244.
“Përdorimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga autoritetet në Prishtinë është bërë i mundur ekskluzivisht për arsye praktike, për hir të lirisë së lëvizjes dhe se kjo nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës e shpallur në mënyrë të njëanshme”, shkruan në këtë njoftim i cili erdhi si rezultat i marrëveshjes për dokumentet personale, e arritur të shtunën, më 27 gusht.
Me këtë marrëveshje, Serbia pranoi të anulojë lëshimin e certifikatave për letërnjoftime nga Kosova, dhe Kosova pranoi që të mos i prezantojë ato për dokumentet nga Serbia.
Për Beogradin zyrtar, kjo marrëveshje është një hap i vogël përpara me qëllim që të shmangen tensionet, dhe Serbet në veri të Kosovës të mund të jetojnë dhe të punojnë pa pengesa.
Presidenti serb Vuçiq tha se marrëveshja është e mirë dhe se Serbia ka arritur të nxjerrë më të mirën.
Në anën tjetër, disa përfaqësues të opozitës, kanë deklaruar se Serbia me njohjen e dokumenteve të Kosovës praktikisht e ka njohur Kosovës.
Ndryshe, nga nesër, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, duhet të fillojë riregjistrimi i targave të serbeve në RKS, gjë që po kundërshtohet nga serbet në veri të Kosovës dhe Beogradit.
Presidenti Vuçiq, ka deklaruar se nuk sheh zgjidhje për targat.
“Pres bisedime të rëndësishme, por për momentin nuk shoh ndonjë mundësi për përparim, sepse nuk ka dëshirë nga ana e Kosovës për të diskutuar zgjidhje racionale dhe kompromisi”, tha Vuçiq duke shtuar se me siguri Prishtina do të vazhdojë fushatën e saj nga 1 shtatori, dhe do të përpiqet t'i detyrojë serbët të ndryshojnë targat e veturave të tyre.























