Dugolli: Problemet me të cilat po përballemi nuk i prodhojë Qeveria Kurti
BKT
Lajme

Dugolli: Problemet me të cilat po përballemi nuk i prodhojë Qeveria Kurti

Blerim Halimi / RTKlive

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka kërkuar më shumë mirëkuptim nga subjektet e tjera politike dhe sindikatat ndaj Qeverisë sa i përket krizës në të cilën është futur vendi. Ai ka thënë se problemet me të cilat është ballafaquar Qeveria Kurti nuk janë prodhim i saj.

“Ne nuk themi që s’ka probleme, por problemet me të cilat është përballur kjo qeveri, nuk i ka prodhuar kjo qeveri, prandaj do të duhej edhe subjektet e tjera dhe grupet e interesit ta kenë parasysh këtë fakt. Të mos harrojmë se qeveria Kurti është ballafaquar me kriza që janë prodhuar larg Kosovës. Pandemia Covid-19, lufta në Ukrainë, kriza energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë, janë probleme për të cilat nuk mund të akuzohet Qeveria Kurti”, ka thënë Dugolli në “Lajmet e Fundit” në RTK.

Ai ka thënë se Qeveria po punon që t’i tejkalojë këto probleme me të gjitha kapacitetet, por ka thënë se për këtë nevojitet edhe bashkëpunim dhe mirëkuptim më i madh nga të gjithë, sidomos tani nga grevistët.

“Që një kohë të gjatë është kërkuar që të procedohet Ligji i Pagave. Ndoshta është vonuar pak, por më mirë që është vonuar e të bëhet mirë se sa të na kthehet prej fillimit. Pra, nuk duhet ta shantazhojmë qeverinë, sidomos në këtë periudhë, kur kemi situatën e sigurisë në veri, dialogun dhe krizën energjetike”, ka shtuar Dugolli.

Dugolli: Pres që marrëveshja për lëvizje të lirë të zbatohet pa probleme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka thënë se pret që sonte në mesnatë të fillojë pa probleme zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve në kufijtë e Kosovës me Serbinë. “Natyrisht që presim që kjo marrëveshje të zbatohet”, ka thënë Dugolli në “Lajmet e Fundit” në RTK.

Ai ka thënë se për këtë marrëveshje, në radhë të parë duhet falënderuar SHBA-në, BE-në dhe të gjithë ata që ishin të kyqyr në arritjen e marrëveshjes. “Është një lajm i mirë sepse ishim dëshmitar se para një muaji vendimi i qeverisë së Kosovës hasi në një rezistencë“, ka shtuar Dugolli.

Ai ka thënë se zbatimit të kësaj marrëveshje duhet t’i gëzohen edhe kundërshtarët politikë, pasi sipas tij kjo është arritur falë vendosëmrisë së madhe dhe kreativitetit të kryeministrit Kurti dhe bashkëpunimit të tij të plotë me aleatët.

Sipas Dugollit për dallim nga marrëveshja e 11 viteve më parë, tani ujdia e arritur së fundmi është më e avancuar, pasi më qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë të pajisen me dokumente shtesë gjatë kalimit të kufirit në Serbi.

Ndonëse nuk pret që të ketë pengesa në zbatimin e marrëveshjes duke filluar nga mesnata e sotme, Dugolli ka thënë se në rast se ndodhë një gjë e tillë, atëherë do të vihet në zbatim reciprociteti.

“Nëse nuk zbatohet do t’ia kthejmë edhe me të njëjtën masë. Por nuk besoj se do të ndodhë diçcka e tillë dhe do të shkojë gjithçka në drejtimin e duhur”, ka shtuar Dugolli.

 


MË SHUME NGA Lajme