RTK me dhomë të re e të integruar të lajmeve -Video
Ahmet Maholli- RTK
Gazetarët dhe redaktorët e lajmeve në RTK tani e tutje do të punojnë të integruar në dhomën e re të rinovuar të lajmeve. Dhoma e re ka kapacitet për bashkëveprimin e njëhershëm të 38 gazetarëve e redaktorëve të sektorit informativ. E nga nesër lajmet do të transmetohen në skenografi të re.
Radiotelevizioni i Kosovës ka përuruar Dhomën e re të integruar të lajmeve. Tash e tutje, gazetarë të sektorit informativ nga të gjitha komunitetet, pa dallim, do të punojnë në një ambient të përbashkët, të zgjeruar e rinovuar dhe të pajisur me kompjuterë të rinj.
Ky investim ka qenë ndër prioritetet e para të menaxhmentit të ri të RTK-së, për të siguruar mjedise të dinjitetshme të punës, krijuar kushte të barabarta dhe integrim të gjitha komuniteteve, e që duhet të rezultojë në cilësi më të madhe të punës.
Dhoma e re e lajmeve ka kapacitet për bashkëveprimin e njëhershëm të 38 gazetarëve e redaktorëve të sektorit informativ.
Kujtojmë se për shumë vjet, gazetarët e RTK3 dhe jo vetëm janë përballur me mungesë të kushteve elementare të punës. Ata kanë punuar nëpër garazha e baraka të improvizuara si hapësira të punës dhe janë përballur me mungesë të ndriçimit, ajrosjes, higjienës e deri te rrezikimi nga reshjet atmosferike.
Në kuadër të investimeve dhe reformave të nisura nga Menaxhmenti i ri, Radiotelevizioni i Kosovës po ashtu vjen për publikun me skenografi të re të zgjeruar e rinovuar për të transmetuar përmbajtjen informative tek publiku i gjerë.
Prej nesër në orën 08:00 edicionet e lajmeve do të transmetohen në një studio të re me imazh të ri.
RTK të vazhdojë me përkushtim përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët me qëllim të rritjes së cilësisë dhe të përmirësimit të vazhdueshëm të përmbajtjes programore të Transmetuesit Publik.























