Zëvendëskryeministri Bislimi inspekton punimet në autostradë
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Zëvendëskryeministri Bislimi inspekton punimet në autostradë

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Numri dy i Qeverisë ka zhvilluar takime me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe atë të Kamenicës, Kadri Rrahimaj ndërsa ka inspektuar punimet për ndërtimin e autostradës Gjilan-Prishtinë.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka vizituar gjatë ditës së djeshme dhe të sotme komunat e Gjilanit dhe të Kamenicës.

Siç bëhet e ditur nga zyra për media e Qeverisë, në këto takime, zëvendëskryeministri Bislimi është shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Të mërkurën Bislimi e Durmishi inspektuan punimet për ndërtimin e autostradës Gjilan-Prishtinë, nga ku u theksua domosdoshmëria për rritjen e intensitetit të punimeve.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, kujdesemi për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së këtij projekti, në mënyrë që të vazhdojë tutje me implementimin e plotë dhe mos të ketë ngecje të mëtejshme”, citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri Bislimi.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme siç bëhet e ditur në njoftim, Bislimi ka vijuar takimet në Gjilan me Kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe në Kamenicë me Kryetarin e Komunës, Kadri Rahimaj.

“Në këto takime, së bashku dhe me Ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u diskutua për zbatimin e plan-programeve qeverisëse nga ana e komunave, me fokus të veçantë në fazat e implementimit të projekteve të planifikuara dhe mbarëvajtja në vija të përgjithshme të punës. Gjithashtu u shqyrtuan dhe mundësitë potenciale për mbështetje nga ana e Qeverisë të projekteve, ideve dhe iniciativave të reja apo ato në zbatim e sipër”, thuhet në komunikatë.

Tutje sipas ekzekutivit mungesa e investimeve dhe e vëmendjes së nivelit qendror më herët ndaj zonës së Anamoravës, ka sjellë nevojën për rritje të investimeve, veçanërisht atyre infrastrukturore, ku dhe nuk do të mungojë mbështetja e Qeverisë.  

 


MË SHUME NGA Lajme