Investime në projekte kulturore, ministri- Komuna e Vushtrrisë |Video
Ahmet Maholli- RTK
Investime të përbashkëta do të realizohen në Vushtrri nga Ministra e Kulturës dhe Komuna. Kështu u pajtuan ministri Hajrullah Çeku dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi. Investimet do të jenë në sport, kulturë dhe trashëgimi kulturore.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku u pajtuan për investime të përbashkëta kapitale në fushën e trashëgimisë, kulturës e sportit. Ministri Çeku u zotua që ta dinamizojë procesin e realizimit të investimeve të këtyre investimeve.
“Zotimi ynë është që të punojmë bashkë që ministria Brenda mundësive financiare, resurseve njerëzore do të bëjë më të mirën për të siguruar që t’u dalim në krah rinisë, sportistëve dhe artistëve të Vushtrrisë, por asnjëherë duke mos e lënë anash trashëgiminë kulturore, monumentet e kësaj komune që i ka me shumë vlerë, sepse përfaqësojnë një histori shumë të lashtë, jo vetëm të kësaj ane, po edhe të gjithë Kosovës”, tha Hajrullah Çeku, ministër i Kulturës
Kryetari Idrizi tha se investimet në fushën e kulturës janë të rëndësishme për komunën e Vushtrrisë.
“E falënderoj për mbështetjen dhe për gatishmërinë që me i dhënë Komunës së Vushtrrisë në shumë fusha, e sidomos në monumente e vjetra kulturore historike, përfshirë këtu muzeun e qytetit, ish-objektin e Gjykatës që do të restaurohet, mandej u diskutua për urën e gurit që ka nevojë për një restaurim”, thaFerit Idrizi, kryetar i komunës së Vushtrrisë.
Idrizi dhe Çeku u pajtuan për përkrahjen e dy manifestimeve: 100-vjetori i klubit të futbollit dhe 40 vjetori i takimit të poeteshave si dhe renovimin e palestrës sportive dhe stadiumit të Vushtrrisë.























