Si u komentua nisja e zbatimit të marrëveshjes në Beograd| Video
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Korrespodentja e RTK-së në Beograd ka treguar se si është komentuar gjatë ditës në kryeqytetin serb, Beograd, nisja e zbatimit të marrëveshjes për letërnjoftime si pjesë e marrëveshjes mes dy shteteve, Kosovës e Serbisë.
Ajo tha se në Beograd po përsëritet deklarata se me fillimin zbatimit të marrëveshjes për letërnjoftime, nuk e kanë pranuar Pavarësinë e Kosovës.
“Sipas zyrtarëve në Beograd janë vendosur njoftimet në pikat kufitare se lejimi i përdorimit të dokumenteve të Kosovës po bëhet për të lehtësuar lirinë e lëvizjes dhe se ky veprim nuk mund të interpretohet si devijim nga rezoluta 1244 dhe si pranim i Pavarësisë së Kosovës dhe për Serbinë kjo marrëveshje ka për qëllim të shmangen tensionet”.
Në ditën që nisi zbatimi i marrëveshjes për letërnjoftime, në Beograd u hap Panairi i verës që mblodhi liderët e shteteve që janë pjesë të nismës “Ballkani i Hapur”.
Sipas gazetares Repiq, treshja e liderëve nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, Aleksandër Vuçiq, Edi Rama e Dimitar Kovaçevski thanë se ky panair është mundësi e madhe për kontakte biznesi dhe tregje të reja.
Ka cituar kryeministrin shqiptar Edi Rama që ka thënë se “Ballkani i Hapur” është projekti paqes, e është shumë më tepër se ekonomi e politikë.
Ndërsa presidenti serb Vuçiq ka thënë se përkundër kritikave të shumta Ballkani i Hapur nuk i ka sjellë asgjë të keqe askujt derisa u ka bërë thirrje vendeve të tjera t’i bashkohen iniciativës.
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski ka thënë se panairi i verërave mund të sjellë mundësi të shumta për bashkëpunim.
Repiq tha se nesër në samit pritet të diskutohen tema të tjera siç është çështja e stabilitetit të furnizimit me ushqim dhe energji në kuadër të nismës, “Ballkani i Hapur”.























