Nagavci publikon takimet me SBAShK-un: I kemi adresuar kërkesat e tyre!
BKT
Foto: Facebook
Lajme

Nagavci publikon takimet me SBAShK-un: I kemi adresuar kërkesat e tyre!

V.Thaçi/RTKlive

Arbërie Nagavci, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ditëve të fundit ka parë deklarata të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit për mungesë dialogu me ta.

Nagavci deklaron se me përgjegjësi të plotë informon se që kur e ka pranuar detyrën bashkë me kolegët e kabinetit kanë zhvilluar disa takime me përfaqësues të SBASHK-ut ku kanë diskutuar për çështjet aktuale në arsim.

Sipas saj, sa herë kanë marrë kërkesa nga SBASHK-u i kanë takuar dhe jo vetëm kaq por edhe i kanë adresuar dhe tejkaluar kërkesat e tyre.

“Vetëm 3 ditë pasi e kam pranuar detyrën, më 26 mars 2021 e kam zhvilluar takimin e parë më përfaqësues të Sindikatës nga të cilët jam informuar për çështje të ndryshme në arsim dhe me vëmendje i kam dëgjuar kërkesat e tyre”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka shtuar se dy javë pas, me 13 prill 2021 ka shkuar në zyrat e Sindikatës së Arsimit bashkë me një pjesë të stafit, ku është biseduar për çështjet që i preokupojnë. 

“Takimet tona kanë vazhduar edhe tutje. Në gusht të vitit 2021, jam takuar me kryetarin, Rrahman Jasharaj dhe kemi biseduar kryesisht në lidhje me situatën me pandeminë në shkolla dhe vaksinimin e mësimdhënësve”, ka shkruar ajo.

Nagavci poashtu ka thënë se edhe më 21 tetor i kam pritur në takim dhe i kam dëgjuar nga afër kërkesat e tyre.

“Kam marrë pjesë po ashtu në Kongresin e SBASHK-ut ku është zgjedhur kryetari Jasharaj edhe për një mandat. Pra, takimet me SBASHK-un kanë qenë të vazhdueshme. Anëtarët e SBASHK-ut janë pjesë e këshillave dhe grupeve punuese në Ministri duke qenë deri tani edhe pjesë e vendimmarrjes së politikave të MASHTI”, ka bërë të ditur Nagavci.

Në këtë postim Nagavci ka renditur të gjitha kërkesat e SBASHK-ut:

➡️ Kërkesë e SBASHK-ut ka qenë që të sigurojmë buxhet për mësimdhënësit me sëmundje kronike.

✅ E kemi adresuar këtë kërkesë dhe për herë të parë kemi ndarë 1.7 milionë euro për rreth 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda.

➡️ Shqetësim ka qenë mësimdhënësit tepricë.

✅ Kemi ndarë gjithashtu buxhet për këta mësimdhënës që të mos i lëmë pa punë. 1600 mësimdhënësve ju kemi ruajtur normat ndërkohë për vitin 2023 tashmë janë planifikuar që të ju ruhen normat 2209 punëtorëve të arsimit.

➡️ Kërkesë për zgjidhjen e çështjes së mësimdhënësve me 180 ECTS.

✅ Është publikuar udhëzimi administrativ për normativin e përgjithshëm që rregullon statusin e mësimdhënësve në marrëveshje punë mbi 10 vjeçare.

➡️ Kërkesë e SBASHK-ut ka qenë Ligji i pagave.

✅ I kemi marrë për bazë të gjitha kërkesat e tyre dhe kësisoj në Projektligjin e ri për paga të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë.

 

✅ Janë ngritur koeficientët në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollave. Kemi eliminuar padrejtësitë e shumë punonjësve të sektorit të arsimit si biblotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar në raport me ligjin e kaluar.

“Nuk ka asnjë çështje që në takimet tona është ngritur dhe që nuk është adresuar sepse jemi të vendosur e me shumë vullnet që përveç rregullimit të cilësisë në arsim, të merremi edhe me çështjet e ngutshme që kryesisht janë si rezultat i neglizhencës mbi 20 vjeçare. Nuk ka asnjë shqetësim të vërtetë të mësimdhënësve që nuk e kemi adresuar dhe kështu do të vazhdojmë”, ka deklaruar Nagavci.

Nagavci ka kërkuar që fëmijëve të mos u mohohet e drejta për shkollim.

"Por, tani është koha që jo vetëm të ndihmojmë mësimdhënësit, por të mos diskriminojmë e shkelim të drejtën për shkollim të fëmijëve tanë", shkroi ajo.


MË SHUME NGA Lajme