Krasniqi ultimatum Qeverisë për pagat, ose thërret seancë të Kuvendit
BKT
Foto: Venera Xhoxhaj/RTK
Lajme

Krasniqi ultimatum Qeverisë për pagat, ose thërret seancë të Kuvendit

J.Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Pas takimit mes Rrahman Jasharajt, si kryetar i Këshillit Grevist dhe Memli Krasniqit, kryetar i PDK-së, parti kjo në opozitë, ky i fundit para mediave deklaroi se nëse Qeveria nuk i ekzekuton pagat, atëherë do të iniciohet seancë e jashtëzakonshme.

Kryetari i kësaj partie opozitare u shpreh se kërkesat e sindikatave janë legjitime. P

“Qeveria duhet t’i kthehet dialogut, të gjejë zgjidhje për punëtorët që janë në grevë dhe të merret me kërkesat e tyre”, tha kryetari i PDK-së, duke shtuar se nëse deri në fillim të javës së ardhshme ,Qeveria nuk ekzekuton pagat e muajit gusht, atëherë kjo parti do t’i kthejë deputetët në Kuvend, për të iniciuar seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.

“Le ta di Albin Kurti që kurrë nuk do të guxojë dhe as nuk do të mund ta kthejë Kosovën në diktaturë”, tha Krasniqi.

 “Dyert e shkollave më 1 shtator i ka mbyllur Albin Kurti, nuk i kanë mbyllur mësimdhënësit”, u shpreh ai, sipas të cilit, kryeministri i ka pasur të gjitha mundësitë që me dialogim t’i ndihmojë mësuesit.

“Sot qeveria i kanë privuar rreth 45 mijë familje prej pagave të tyre sepse nuk ua ka ekzekutuar pagat e muajit gusht. Kjo është vepër penale”.

Ndërkaq, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, deklaroi se kërkon  nga të gjitha partitë opozitare,  që të bëhen bashkë e të mos lejojnë që Kosova të kthehet në një shtet diktatorial.

 “Tendencat janë që të shtypen e të heshtën sindikatat, e kur sindikatat shtypen atëherë nuk ka shtet demokratik”, tha Jasharaj, pas takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

“Nuk e ka askush të drejtën që Kosovën ta dërgojë deri këtu, e nesër ta dërgojë edhe më keq”.

Ai ka kërkuar nga partitë dhe deputetët e tyre që ta ndihmojnë SBASHK-un të vijë deri te dialogu me Qeverinë.

Nis takimi Jasharaj-Krasniqi, temë greva

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, tashmë ka shkuar në takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Takimi i cili ka filluar rreth orës 14:00 edhe më tej po vazhdon dhe sic njofton gazetarja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, takimi po mbahet me dyer të mbyllura.

Përveç kryetar i BSPK-së, Jasharaj është edhe kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, dhe bashkë me të në takim ndodhet edhe  nënkryetari i Këshillit Grevist, Ali Gashi.

Sindikalistët kanë paralajmëruar takim edhe me presidenten Vjosa Osmani.

 


MË SHUME NGA Lajme