Miratohet doza e katërt e vaksinës kundër Covid-19
RTKlive
Ministria e Shëndetësisë e ka miratuar dhënien e dozës së katërt të vaksinës kundër Covid-19 për disa kategori të personave.
Në njoftimin e MSH-së thuhet se ministri Rifat Latifi ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizimin e popullatës me vaksinën kundër Covid-19.
Sipas këtij vendimi me këtë dozë të vaksinës lejohet ta marrin të gjithë personat e grup-moshës mbi 50-vjeç (të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë), pastaj personat me sëmundje kronike dhe imunitet të dobësuar të moshës mbi 5-vjeçare (të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë) si dhe për profesionistët shëndetësorë, pa dallim moshe.
Aktualisht në vendin tonë janë 885 raste aktive me Covid-19. Deri më tash që nga fillimi i pandemicë janë dhënë 1.835.597 doza të vaksinës: doza e parë 904.147, doza e dytë 824.525, doza e tretë 105.010 dhe doza e katërt 1.723.























