Kurti e Murati nesër në konferencë, AAK-ja e do ministrin në interpelancë
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati kanë paralajmëruar për të shtunën konferencë për media.
Adresimi i shefit qeveritar dhe vartësit të tij, ministrit të Financave do të nisë nga ora 11:00 në objektin qeveritar, bëhet e ditur në njoftimin për media të kryeministrisë.
E pas situatës së krijuar me grevën e mos ekzekutimin e pagesave për disa kategori të punonjësve të sektorit publik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që Kuvendi të ndërpresë më herët pushimin.
Kërkesa i është dorëzuar zyrtarisht kryeparlamentarit Glauk Konjufca, nga shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

Në AAK-në opozitare konsiderojnë se të drejtat e punëtorëve në administratën shtetërore janë cenuar me ndalimin e pagesave, prandaj për këtë e duan në interpelancë Ministrin e Financave, Hekuran Murati.
“Ekzekutimi selektiv i pagave për sektorin publik në një periudhë të rëndë krize, ka cenuar të drejtat dhe dinjitetin e të punësuarve, për të hyrë në grevë të ligjshme, siç përcaktohet me Ligjin për Grevat, neni 18, Efektet e Grevës së Ligjshme. Me presionin mbi komunat për të siguruar listat e grevistëve është ndërhyrë në kompetencat dhe rrezikuar autonominë e komunave, të paraparë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjet që Rregullojnë Fushat, Kompetencat e Komunave dhe Parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale”, thuhet në arsyetimin e AAK-së drejtuar kreut të Kuvendit.
Në këtë seancë AAK-ja synon të votojë rezolutë përmes së cilës përveç që kërkojnë ekzekutimin e pagave kërkojnë edhe nisjen e dialogut me sindikatat.
“Ndalja e presionit dhe cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore dhe ndërhyrjeve në kompetencat dhe autonominë e komunave. Ekzekutimi i pagave, nisja e dialogut social me sindikatat në gjetjen e zgjidhjes për kërkesat e punëtorëve, përmes shtesave dhe Ligjit për Pagat”, janë renditur si pika në rezolutën e prezantuar nga AAK.
Të njëjtin paralajmërim e ka dhënë edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pas takimit që ka pasur me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Krasniqi ka thënë se mosekzekutimi i pagave është vepër penale e shkelje ligjore derisa ka kërkuar nga Qeveria t’i kthehen dialogut e t’i ekzekutojnë pagat në të kundërtën javën që vjen do të iniciojnë seancë të jashtëzakonshme.
Dialog për t’u ejkaluar kriza ka kërkuar edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me Jasharajn.

Ndërkohë për shkak të mosekzekutimit të pagave SBASHK-u ka nisur betejë ligjore ndaj ministrit Hekuran Murati.























