RrGK dhe Strehimoret reagojnë ndaj KGJK-së e KPK-së
BKT
Foto: RrGK
Lajme

RrGK dhe Strehimoret reagojnë ndaj KGJK-së e KPK-së

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Rrjeti i Grave të Kosovës dhe të gjitha strehimoret e vendit kanë reaguar ndaj siç kanë thënë gjuhës së përdorur nga dy institucione, KGJK e KPK.

“Gjuha e përdorur e KGJK-së dhe KPK-së si “në mëshirën e OJQ-ve”, ul rëndësinë dhe përçmon punën që OJQ-të kanë bërë deri tani qoftë me këshillim, përfaqësim, monitorim dhe strehim të viktimave të dhunës me bazë gjinore. Viktimat e dhunës në baza gjinore nuk ndjehen të sigurta dhe nuk gjejnë përkrahje e ndihmë në institucionet e Kosovës sepse deri tani institucionet tona kanë dëshmuar se si dështojnë të mbrojnë ato”, thuhet në reagim.

Sipas tyre rasti i fundit tregon edhe njëherë dështimin e institucioneve në mbrojtje dhe sjellje të drejtësisë për gratë.

“Prandaj, viktimat e dhunës në baza gjinore gjejnë dhe kanë gjithmonë përkrahjen e organizatave joqeveritare”, vijon reagimi.

Në këtë reagim të RrGK-së thuhet se institucionet e drejtësisë duhet te bashkëpunojnë me organizata joqeveritare pasi që janë këto të fundit të cilat janë gjatë gjithë kohës në terren, takohen me viktima të dhunës në baza gjinore çdo ditë dhe njohin nevojat e tyre.

“Strehimoret, po ashtu kane përvojë të gjatë në njohjen dhe evidentimin e neglizhencës institucionale, sidomos nga ana e gjyqtarëve, prokurorëve, dhe policisë, si pasojë e të cilës puna e tyre dhe siguria e tyre rrezikohet përditë”.

Prandaj, RrGK-ja ka bërë thirrje për koordinim dhe bashkëpunim ndër-institucional, në sigurimin e trajtimit të drejtë të viktimave të dhunës në baza gjinore.

Më herët gjatë ditës dy institucionet e drejësisë, Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial reaguan ndaj  kryeminsitrit lidhur me deklaratën e tij në raport me KGJK-në dhe KPK-në për rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial theksojnë se në raport me këtë çështje sillemi si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore”.

KGJK e KPK thanë se si institucione kompetente në koordinim të plotë me institucionet tjera relevante, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm.

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim”.

E kjo deklaratë e fundit ka shtyrë RrGK-në e strehimoret të reagojnë ndaj dy institucioneve të drejtësisë.


MË SHUME NGA Lajme