SHSPSH: SHSKUK t`i rishikojë vendimet, ndryshe do të ketë veprime sindikale
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor paralajmëron veprime sindikale nëse SHSKUK-ja nuk ndryshon siç thonë vendimet me të cilat i kanë ngarkuar me detyra shtesë infermierët e QKUK-së.
Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së ka reaguar ndaj disa vendimeve të SHSKUK-së e QKUK-së.
Në reagimin e tyre dërguar mediave thonë se kanë pranuar ankesa nga infermierët lidhur me disa urdhëresa të lëshuara nga drejtoria e SHSKUK/QKUK-së dhe ndihen të zhgënjyer me trajtimin e infermierëve në disa nga pikat e këtyre urdhëresave.
“Duke e njohur seriozitetin dhe rëndësinë e infermierëve, duke qenë të informuar mirë me numrin shumë të vogël të personelit infermieror në QKUK, mbingarkesës me punë si dhe duke qenë dëshmitar të trendit në rritje të ikjes së infermierëve, konsiderojmë që një veprim i tillë dhe urdhërsa vetëm se e rrisin mbingarkesën me punë të infermierëve dhe kontribojnë në trendin e ikjes”.
Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së ka renditur përgjegjësitë që sipas tyre u janë ngarkuar infermierëve dhe të njejtat kanë kërkuar të rishikohen.
“1. Ngarkimi me përgjegjësinë e furnizimit me barëra gjatë fundjavave, duke mos qenë detyrë dhe duke mos u kompenzuar për këtë përgjegjësi, 2. Thirrja e mjekut për rastet e klinikës, edhe pse i njejti do duhej të ishte në punë sipas kontratës dhe përgjegjësisë duke mos pasur nevojë për ftesë, 3. Evidentimi dhe monitorimi i palëve civile apo edhe largimi i tyre nga hapsirat e klinikave, 4. Mbajtja e evidencave të hyrje-daljeve nga dhomat e pacientëve, ku në fakt infermieri merrë trajtim ndryshe sepse të njejtën nuk janë të detyruar t’a zbatojnë mjekët”.
Sipas kësaj sindikate këto detyra dhe përgjegjësi të ngarkuara indirekt e tjetërsojnë natyrën e veprimtarisë së infermierit.
“ Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK kërkon të rikonsiderohen, ndërsa në vend të këtyre urdhëresave të cilat vetëm se e vështirësojnë punën e infermierëve, QKUK të angazhohet në lehtësimin e barrës të cilën aktualisht e bartin infermierët, qoftë përmes pranimit të një numri më të madhë të infermierëve. Presim që Drejtoria e SHSKUK/QKUK-së të reflektoj dhe të marrë në komsideratë këto kërkesa në mënyrë që t’iu shmangemi veprimeve dhe masave sindikale”, përfundon reagimi i SHPSH-së.























