Shqipëria në shtator nën tingujt dhe aromën e 18 vendeve të botës
Rtklive
Foto: TRT
Në Fokus

Shqipëria në shtator nën tingujt dhe aromën e 18 vendeve të botës

TRT/ Shqip

Pa kaluar ethet e festivalit “Sunny Hill”, Shqipëria mirëpret rinisjen e eventit “Javët Kulturore Ndërkombëtare 2022”.

Mesazhe paqeje nëpërmjet aktiviteteve

Javët Kulturore Ndërkombëtare 2022, një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës, do të rifillojnë në muajin shtator.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nëpërmjet rrjeteve përveç pjesëmarrjes së shteteve të ndryshme konfirmoi edhe koncertin e këngëtares së njohur Rita Ora.
“Rinisin Javët Kulturore Ndërkombëtare më 1 shtator. Hapin sezonin e dytë: Britania, Suedia, Egjipti dhe Kina, ku kulmi i aktiviteteve do të jetë koncerti i shumëpritur i këngëtares së njohur ndërkombëtarisht Rita Ora”, ka shkruar kryeministri Rama.
Nga ana tjetër ministrja e Kulturës, Elva Margariti informoi sot se “gjatë muajve prill-korrik u zhvilluan 171 aktivitete, që sollën ngjyra e shije nga vende të ndryshme të botës”.
“E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, kushtuar bashkëpunimit kulturor, ky program dinamik e gjithëpërfshirës, do të krijojë një atmosferë të jashtëzakonshme e do të shpërndajë mesazhe paqeje dhe pranimi”, shtoi Margariti.
Gjatë muajit shtator e në vijim do të spikasin ndër të tjera, koncerte me muzikë klasike dhe moderne egjiptiane, performanca folklorike egjiptiane, festivali i kulturës kineze, performanca Taiji, ceremonia e çajit dhe ushqimit kinez, loja tradicionale cricket, koncerti i ABBA Tribute, si dhe koncerti i shumëpritur i këngëtares shqiptare të njohur ndërkombëtarisht, Rita Ora.
Kujtojmë se gjatë muajve të verës ky projekt pati një ndërprerje.
Java e fundit e organizuar ishte ajo e kulturës turke, në përfundim të së cilës pati një koncert nga violinisti virtuoz me origjinë shqiptare Elvin Hoxha Ganiyev.

Shqipëria përcjell festivalin “Sunny Hill”
“Sunny Hill Festival”, që konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në trevat shqiptare, mbaroi dje.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky event i rëndësishëm, që u zhvillua në mjediset e parkut të Liqenit Artificial.
“Mirëmëngjes dhe me superenergjinë e “Sunny Hill” e me falënderimin për Duan, që e presim me padurim në Tiranë në nëntor, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Në natën e parë të festivalit performuan artistët e njohur shqiptarë Capital T, Dafina Zeqiri, Dren Abazi, Art Lokaj, Sanchet, Art Haliti, etj.
Ndërsa atmosfera u bë më elektrizuese kur në skenë u ngjit reperi italian Fedez dhe reperi Action Bronson, të cilët sollën këngët më të bukura të repertorit të tyre.
Ndërkohë, në ditën e dytë të festivalit performuan vetëm DJ të njohur botëror e shqiptarë si, Hardwell, Afrojack, Regard Merk&Kremont, Drop G, Kamela Ampov, Vin Veli.
Në ditën e tretë të festivalit interpretuan Stormzy, Mc Kresha dhe Lyrical Son, Ledri Vula, Mozzik, Getinjo, Elgit Doda, Asgjë Sikur Dielli, Nika Paris- Vegas Jones- Rooms, Barny Fletcher, Alban Chela, Ardian, Rrrrron.
Festivali më herët u zhvillua edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pjesë e së cilit ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës.


MË SHUME NGA Në Fokus