Ekspertët, urgjentisht duhet të fillojë dialogu qeveri-sindikatë
BKT
Foto Arkiv/ RTKlive
Lajme

Ekspertët, urgjentisht duhet të fillojë dialogu qeveri-sindikatë

Albana Bajrami / Radio Kosova

Derisa greva e punëtorëve në sektorin publik po vazhdon, ekspertët thonë se urgjentisht duhet të fillojë dialogu ndërmjet qeverisë dhe sindikatave, në mënyrë që të zhbllokohet situata e krijuar. Sipas tyre, qeveria ka hequr dorë nga dialogu, ndërsa theksojnë se qasja e saj, është arrogante.

Për grevën e përgjithshme të punëtorëve në sektorin publik, përfshirë këtu edhe mësimdhënësit, ekspertët thonë se duhet një zgjidhje urgjente, në mënyrë që të ndërpritet ajo dhe institucionet të fillojnë punën, e nxënësit të mos dëmtohen.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihaj, ka thënë për Radio Kosovën se nuk ka qenë momenti tani për të organizuar greva, pasi çdo fillim i vitit shkollor po shoqërohet me trysni, e kjo ka shkaktuar trauma te nxënësit.

 “Për mua greva është e papranueshme, sepse nuk duhet të pësojnë fëmijët, sepse është e drejta elementare e fëmijëve për shkollë dhe sigurisht shteti është i detyruar të gjejë mënyra të organizojë mësimin. Praktikisht, qeveria mban përgjegjësinë që s’ka dashur të bëjë dialog me sindikatën. Unë kam thënë që greva duhet të pezullohet për një muaj e pastaj të bisedohet e të gjendet zgjidhje”, tha ai.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve ligjore, Ehat Miftaraj, ka thënë për Radio Kosovën, se qeveria dhe sindikatat më shumë të rëndësishme e kanë të vazhdojnë betejën ndërmjet tyre në distancë, duke mos i dhënë mundësi dialogut për të tejkaluar problemet.

 “Është e pakuptimtë dhe e pavend qasja arrogante që ka qeveria në raport me sindikatën, në raport me kërkesat e grevistëve. Në një vend normal, në një qeveri e cila synim ka dialogun social, do të duhet të kishte debat, diskutim e takime ditë e natë me sindikatat për të gjetur një zgjidhje dhe aspak luftë arrogante me punëtorët grevistë”, tha ai.

Për grevën në sektorin publik, ka pasur reagime të shumta edhe nga organizatat për të drejtat e fëmijëve, Këshilli i Prindërve të Kosovës, liderë të partive politike e të tjerë. Kërkesa kryesore e sindikatave drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.


MË SHUME NGA Lajme