Jasharaj pas takimit me presidenten: Greva do të vazhdojë
Venera Xhoxhaj& Afet BELA/RTK
(E plotësuar, ora 16:30), Rrahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut, pas takimit që pati me Presidenten Vjosa Osmani, tha se ajo është e gatshme të angazhohet në gjetjen zgjidhjeve dhe për të ndalë grevën, por pa u realizuar kërkesat që i kanë ndaj qeverisë, nuk do të ketë lëvizje në këtë drejtim.
“Problemi ka ardhur deri këtu në mungesë të dialogut, ne e lutëm që ajo të ndikojë të ulemi me qeverinë dhe të bisedojmë. I thamë asaj që pakoja me 50 euro, nuk është e qartë. Ne i thamë asaj që nga 100 euro deri sa të bëhet Ligji i Pagave”, tha ai, raporton RTKlive.
Sipas tij nga takimi i sotëm kemi një moment të ri. “Unë ia bëra me dije asaj, se fatkeqësisht se greva do të vazhdojë. Kemi kërkuar nga presidentja që të shfrytëzoj autoritetin për të realizuar dialogun. Pako është e mirëseardhur por ne qëndrojmë prapa kërkesave tona", tha ai.
Për kritikat e Kurti ndaj mësimdhënësve, sipas tij nuk e di se ku i ka marrë Kurti të dhënat për nxënësit analfabet. Jasharaj bëri me dije se presidentja u ka kërkuar grevistëve për të dalur nga kjo gjendje dhe që mësimi të fillojë. “Brenda ditës mund të zgjidhjet problemi, nëse ka vullnet”, theksoi ai.
Demi: E drejta kushtetuese e fëmijëve për shkollë nuk mund të cenohet
(E plotësuar, ora 15:05) Pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, për media është deklaruar Jeton Demi nga Këshilli i Prindërve.
“E drejta kushtetuese e fëmijëve tanë për të shkuar në shkollë nuk mund të cenohet, Kemi marrë mbështetje nga presidentja”, tha ai, raporton RTKlive.

Presidentja mbështetë kërkesat e nxënësve dhe të prindërve
Zyra e Presidencës ka njoftuar se ka nisur takimi i Presidentes Vjosa Osmani me Këshillin e Prindërve, z. Jeton Demi dhe z. Labinot Salihu, Këshillin e Nxënësve në përbërje të z. Ditjon Fetahu dhe z. Hekuran Muja, si dhe Koalicionin e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve me përfaqësuese znj.Donjeta Kelmendi.
"Presidentja mbështetë kërkesat e nxënësve dhe të prindërve: Nxënësit duhet të jenë në qendër të interesimit tonë për ta tejkaluar krizën në arsim", thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.























