Macron-Scholz: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është thelbësor
RTKlive
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz i dërguan një letër të përbashkët presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Në letër, kreut të shtetit serb i bëhet thirrje të tregojë “vendosmërinë dhe gatishmërinë maksimale” për të marrë vendime të vështira, “të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e BE-së”, është bërë e ditur nga zyra e shtypit e Presidentit të Serbisë.
Ata shtuan se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikën e jashtme dhe të sigurisë që t'i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, njoftoi Presidenca e Serbisë më 4 shtator.
Në një letër të përbashkët drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Macron dhe Scholz deklaruan se në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, duhet të bëhen përpjekje më të forta që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet.
"Ne jemi të bindur se, në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, ne duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta, në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe në mënyrë që mosmarrëveshjet afatgjata dypalëshe dhe rajonale të zgjidhen. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër.























