Shtëpia e Herticëve në Prishtinë është pjesë e Manifestës -Video
Venera Adili / RTK
Shtëpia e Herticëve që në vitet e 90-ta ishte shtëpi shkollë është e hapur tash e sa ditë për vizitorë. Pronarët e kësaj shtëpie me vetiniciativë kanë ruajtur gjithçka që ka mbetur pasi ky objekt ishte djegur më 4 prill të vitit 1999. Ata edhe pas 23 vjetësh janë në pritje që institucionet ta trajtojnë në mënyrën e duhur këtë objekt që tash është i hapur edhe në kuadër të Manifestës.
Gjurmët brenda kësaj shtëpie janë histori për sakrificën për të ruajtur arsimin shqip.
Ndonëse nën okupim të Serbisë, gjatë viteve 90-ta Familja e Herticëve në kryeqytet ishte e vendosur për të hapur dyert për 10 gjenerata që iu pamundësua mësimi në shkollë.
"Më se 5000 nxënës kanë qenë këtu dhe këta pronarët e shtëpisë shkollë na kanë ushqyer edhe me shumë sene ne që kemi punuar", thotë Gani Kolovica, ish-punëtor i sigurimit në shtëpinë shkollë.
Dyert e shkollës nuk u mbyllën për asnjë ditë por familjarët shprehen të zhgënjyer me trajtimin jo të mirë nga shteti.
"Ka qenë sfidë dhe ka qenë rrezik sepse kanë bërë presion t’i mbyllim shtëpitë shkolla dhe babai ka thënë më mirë më vraj me krejt familjen dhe kur e kujtoj këtë dhe e shoh që shteti na neglizhon", thotë Azemine Aliu, vajza e pronarit të shtëpisë shkollë.
Me qëllim që të ruhet objekti familjarët investuan vetë.
"Ne kemi pritur deri në 200 euro, ta marrim në mbrojtje por s’ kishte asgjë dhe ne morëm vetiniciativën për ta mbuluar që të ruhet kjo shtëpi shkollë", tha Azemine Aliu.
Vizitorët që ndalen t' shohin këto hapësira, për të cilat me krenari e dhimbje ju shpjegon krejt çka duan Azeminja, janë të shumtë.
E kaluara dhe e tashmja e arsimit në Kosovë është arsye e vizitës së familjes Musliu në këtë shtëpi.
"Kjo ka qenë arsye të vijmë t’iu tregojmë fëmijëve në çfarë kushte është mbajtur mësimi por këta s’po e kanë këtë mundësi që t’ia dimë vlerën", thotë Rigel Musliu.
Shtëpia shkollë apo shtëpia e Herticëve në Prishtinë është pjesë e Manifestës.























