Bërnabiq nga Mitrovica e Veriut: Do të insistojmë për Asociacionin
Arlinda Sejda/RTK V.Saraçi- Sahatçiu/RTKlive
(E plotësuar) Kryeministrja e Serbisë ana Bërnabiq në fjalimin e saj para serbëve në Veri të Mitrovicës ka thënë se Serbia gjithmonë do të jetë afër popullit serb në Kosovë.
“Sot nga këtu dua të dërgoj një mesazh të qartë dhe të thjeshtë, një mesazh paqeje, stabiliteti dhe tolerance. Dua të përsëris edhe mesazhin e presidentit Aleksandër Vuçiq se ne do të jemi gjithmonë me popullin tonë në Kosovë. Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, ka thënë Bërnabiq.

Tutje ajo ka thënë se do të insistojnë vazhdueshëm për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministrja serbe e ka quajtur sulm ndaj serbëve mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve e referendumin në komunat veriore.
“Fatkeqësisht çdo vit po shtohen sulmet ndaj serbeve, po iu cungohen të drejtat prej kur u është ndaluar votimi në referendum e në zgjedhjet e Serbisë. Jam shumë krenare që jam pjesë e ekipit të presidentit Vuçiq që në mënyrë patriotike po mundohet të zgjidhë problemet. Dialogu është i rëndësishëm”, ka thënë ajo.
Bërnabiq e cila në pozitën e kryeministres është që nga viti 2017 tha se deri tash nuk ka ardhur në Kosovë sepse sipas saj është vlerësuar si provokim.
“Sa i përket vizitës time, një kohë ka qenë e ndaluar sepse jam munduar dhe kam folur për padrejtësinë që i bëhet popullit tonë këtu. Më vjen mirë që sot jam këtu, në momentin që u mundësua unë jam këtu, sepse jemi për qetësi e stabilitet. Është me rëndësi që populli ynë të jetojë mirë këtu. Nuk përjashtoj mundësinë që në të ardhmen do të vizitojë edhe serbët në pjesë të tjera të Kosovës. Serbia do të mundohet t’ua rregullojë jetën”.
E pyetur nga gazetarët se si është ndierë kur ka kaluar kufirin Kosovë-Serbi, ajo ka thënë se është ndier si në tokën e saj.
Bërnabiq u ka thënë serbëve se pavarësisht krizave do te gjejnë mjete që të investojnë në Kosovë. “Vazhdoni të jetoni këtu dhe llogarisni në përkrahjen e Qeverisë së Serbisë”.
Pas përfundimit të vizitës në Mitrovicën e Veriut dhe asaj në Manastirin e Banjskës, Bërnabiq do t’i vizitojë edhe dy familje serbe në Leposaviq, me të cilat edhe pritet ta përmbyllë vizitën e parë të saj në Kosovë, së paku kështu është bërë e ditur në bazë të agjendës.
Vizita e kryeministres serbe në komunat veriore është përcjellë me masa sigurie nga Policia e Kosovës.
Bashkë me të në delegacion janë edhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që ka edhe detyrën e kryenegociatorit në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë si dhe Mihailo Jovanoviq, drejtor i Zyrës për Teknologji Informative dhe E-qeverisje.
Bërnabiq arrin në Mitrovicë, u drejtohet serbëve me fjalim|Video
(E plotësuar) Sapo ka arritur në Veri të Mitrovicës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo do t’i drejtohet serbëve lokal të mbledhur aty me një fjalim. Kjo është vizita e saj e parë në Kosovë si kryeministre e Serbisë.
Kjo vizitë po përcillet me vëmendje të madhe edhe nga mediat Serbe, njofton gazetarja e RTK-së nga terreni, Arlinda Sejda.
Me pankarta e thirrje për Kosovën, serbët presin kryeministren e Serbisë
(E plotësuar) Serbët lokal në Mitrovicën e Veriut janë mbledhur në pritje të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq e cila për herë të parë po e viziton Kosovën.
Ata po e presin atë me pankarta në duar me mbishkrime “Mirë se vjen në tokën e shenjtë serbe”.
Siç njofton gazetarja e RTK-së nga terreni, Arlinda Sejda aty përreth shihen patrulla të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.

Vizita e Bërnabiqit në Kosovë, Policia del me njoftim
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
(E plotësuar) Policia e Kosovës ka bërë të ditur veprimet që janë ndërmarrë për të ofruar sigurinë e mbarëvajtjen gjatë vizitës së kryeministres së Serbisë në Kosovë, Ana Bërnabiq.
Siç bëhet e ditur, gjatë kësaj vizite e cila realizohet në Mitrovicën e Veriut, Policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike.
Në zonat nga do të kalojë eskorta e kryeministres serbe bëhet e ditur se do të jetë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete”, thuhet në njoftimin e policisë.
Njëkohësisht është bërë e ditur se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Ana Bërnabiq do të arrijë në Mitrovicë rreth orës 10:00
Arlinda Sejda /RTK
(E plotësuar) Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq sot do të realizojë një vizitë në Kosovë, konkretisht në veri të Mitrovicës në Komunën e Leposaviqit.
Kryeministrja Bernabiq do të arrijë në Mitrovicë rreth orës 10:00 sipas agjendës.
Nga qendra multimediale në veri, pritet të dal me një deklarate për media.
Tutje Bernabiq do të vizitojë edhe dy lokacione te tjera, Manastirin e Banjskës, dhe do të realizojë vizita në disa familje serbe ne veri.
Ana Bërnabiq sot viziton komunat në veri të Kosovës
N. Mekolli /RTKlive.com
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq sot do të realizojë një vizitë në Kosovë, konkretisht në veri të Mitrovicës në Komunën e Leposaviqit.
Së bashku me kryeministren serbe, Kosovën do ta vizitojë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, Petar Petkoviq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për vizitën e planifikuar të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në veri të Kosovës. Kurti tha se shpreson që Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, fillimisht do të ndalet në Mitrovicën e Veriut, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës.
Pas kësaj është planifikuar një vizitë në Manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit e Zubin Potokun.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka njoftua se i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.
“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, kështu kanë konfirmuar për RTKlive, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së republikës së Kosovës.























