Përkujtohet 6-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës
Rtklive
Në Fokus

Përkujtohet 6-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës

RTSH

Shenjtërimi i Nënë Terezës është përkujtuar nga presidenti Bajram Begaj. Në një postim në Twitter, Begaj shkruan se Nënë Tereza është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit.

Ai shton se sot është ditë reflektimi për më shumë solidaritet, dashuri për njëri-tjetrin dhe shërbim për Shqipërinë.

“Shenjt Tereza e Kalkutës, dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor. Bija shqiptare është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit.

Shembulli i saj na fton të shohim brenda vetes, familjeve & shoqërive tona për të kultivuar dashurinë për tjetrin dhe vlerat më të mira shpirtërore të popullit tonë. E sotmja është ditë reflektimi për më shumë solidaritet, dashuri për njëri-tjetrin & shërbim për Shqipërinë”, shkruan Begaj.

Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjete sociale një foto të Nënë Terezës ndërsa e konsideron gruan e paqes në botë.

“Dhe në këtë Ditë të Shenjtërimit të gruas së paqes në botë, shqiptares Nënë Tereza, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur zyrtarisht si Nënë Tereza ka lindur më 26 gusht të 1910 në Shkup, por me “shtëpi” në gjithë botën. Jetën ajo ua dedikoi të gjithë njerëzve që ishin në nevojë.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë për t’u shërbyer të gjithë të varfërve, gjë që e bëri deri në fund të jetës së saj. Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe 1979 Çmimin “Nobel për Paqe”.

Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.


MË SHUME NGA Në Fokus