Osmani dekoron personalitete të shquara me medaljen “Shën Tereza”
Rtklive
Foto: Elmina Osmani
Në Fokus

Osmani dekoron personalitete të shquara me medaljen “Shën Tereza”

Emine Hoti/RTKlive

(E plotësuar )Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e gjashtë vjetorit të shenjtërimit dhe 25- vjetorit të kalimit në amshim të humanistes së madhe shqiptare Shën Tereza ka dekoruar, sot, disa prej personaliteteve të shquara në fushën e humanizmit me medaljen presidenciale “Shën Tereza”. Vendimi për dekorimin e tyre përkon me organizimin e “Ditëve të Nënë Terezës”.

Presidentja theksoi se shënimi i gjashtë vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë në amshim është një mundësi për ta kujtuar jetën e saj prej humanisteje, por edhe për ta kthyer vëmendjen nga shpirti ynë human dhe tradita jonë solidare si shqiptarë.

“Për këtë qëllim kam vendosur që sot të dekoroj me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” disa personalitete, të cilat kanë kontribuar në periudha të ndryshme të historisë sonë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona, duke dhënë shembullin personal se si peshën e dhunës ndaj nesh mund ta shndërrojmë në mjet dashurie ndaj njerëzve, në promovimin e shpirtit tonë human e shpërndarjen gjithandej botës së veprës kolosale të modelit të jashtëzakonshëm, por edhe të përkatësisë etnike e kulturore të humanistes sonë Nënë Tereza”, ka theksuar Osmani.

Presidentja Osmani e cila e dekoroi Dom Lush Gjergjin, tha se ai tërë jetën ia kushtoi këtij vendi, vlerave të popullit tonë dhe u shqua në promovimin nëpër botë të veprës dhe jetës së Nënës Terezë.Ndërsa për të dekoruaren tjetër, infermieren Sadije Lalloshi,  Osmai tha se ajo profesionin e saj human ia përkushtoi ruajtjes së shëndetit të popullit të saj në kohen kur ai shtypej egërsisht nga regjimi serb.

Ajo, theksoi presidentja, duke shërbyer si motër e ambulancës së parë humanitare “Nënë Tereza”, kreu mbi tre milionë shërbime dhe trajtoi qindra e mijëra pacientë kur atyre u ishte mohuar kujdesi shëndetësor.

U dekoruan edhe motrat e Shën Terezës të cilat nga viti 1992 u ofruan ndihmë më të varfërve, atyre që Nënë Tereza i deshi më së shumti. "Ato u ofruan atyre strehë, kujdesin për ushqim dhe i mbajtën afër me dashuri sipas shembullit të misionares së madhe  Shën Tereza", tha ajo.

Osmani dekoroi edhe imzot Nik Prela, pas vdekjes.“Duke qenë meshtar dhe prift i emëruar më vonë edhe ipeshkv i Kosovës, ai, i shërbeu pakursyer popullit të vet në kohë të vështira, duke ndikuar në kultivimin e dashurisë dhe solidaritetit në mes njerëzve si dhe duke ndihmuar në krijimin e vetëdijes për lirinë si përmasë ideale e jetës njerëzore”, theksoi presidentja për imzot Prelën.

Presidentja Osmani dekoroi edhe Jak Mita pas vdekjes me dekoratën presidenciale me motivacion për kontribut të veçantë ndaj vendit duke themeluar shoqatën humanitare “Nënë Tereza".

Me medalje u dekoruan edhe kardinali i vetëm shqiptar, Ernest Simoni dhe Visar Zhiti, poet i shquar i letrave shqipe dhe i burgosur politik në kohën e komunizmit.

E para e vendit tha se kanë filluar sot me këtë listë dekoratash për të vazhduar me të tjera personalitete gjatë vitit.

Në 25 vjetorin e vdekjes, meshë solemne për nder të Nënës Terezë

Sot, me rastin e gjashtë vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës dhe 25 vjetorit të kalimit të saj në amshim, u mbajt mesha solemne në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Një fjalë rasti për nder të Nënës Terezë mbajti Imzot Zef Gashi, i cili foli për figurën poliedrike të Nënës Terezë, e cila siç tha ai, ishte e mbrujtur me një dashuri  të pakufishme për të varfrit.

Ai tha se vepra e Nënë Terezës është e ngritur në lartësitë e paimagjinueshme, si një fenomen unikat, me përmasa të mëdha që nuk mund të krahasohet, por të pranohet dhe të nderohet.

Tutje, Imzot Zef Gashi vlerësoi se e shenjta  Nënë Terezë ka përmirësuar imazhin shqiptarëve në mënyrën më sublime.

“Nënën Tereza është simbol i dashurisë dhe bamirësisë së heshtur”, tha mes tjerash Imzot Gashi, në meshën kushtuar Shën Terezës.

Veç kësaj, Imzot Zef Gashi foli për historikun e ngjarjeve në periudha të ndryshme të historisë së shqiptarëve në të dy anët e kufirit,  deri në ditët e sotme.

Krasniqi kujton Nënë Terezën: Jeta e saj është shembull i humanizmit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar Nënë Terezën në 25 vjetorin e shkuarjes së saj në amshim.

Duke cituar ka cituar thënien e saj: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por, të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, Krasniqi u shpreh se nuk ka thënie më të madhe, më kuptimplote, e cila është një jetëpërshkrim i gjithë aktivitetit të saj human.

Tutje, Krasniqi ka ka shkruar se jeta e Nënë Terezës është shembull dhe mësim për të gjithë, se çdo aktivitet i udhëhequr nga dashuria është i predispozuar për të pasur sukses e ndikim të jashtëzakonshëm.

“Nga Shkupi në Kalkutë, e nga aty në të gjithë botën, për të shtrirë dorën e kujdesit, përgjegjësisë, solidaritetit e humanizimit. Jeta e Nënë Terezës është një shembull dhe mësim për të gjithë, se çdo aktivitet i udhëhequr nga dashuria është i predispozuar për të pasur sukses e ndikim të jashtëzakonshëm.Populli shqiptar është përjetësisht krenar që botës i fali një figurë kaq të madhe e humane, si Shën Tereza! Përjetësisht në kujtimet tona!”, ka shkruar ai.

Kosova përkujton 25 vjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës

Në 25 vjetorin e vdekjes së humanistes shqiptare dhe shenjtores  “Nënë Tereza”, krerët shtetërorë të Kosovës, kanë bërë homazhe te shtatorja  e saj në Prishtinë.

Duke përkujtuar atë dhe veprën e saj, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e çmuan lart jetën dhe veprën e saj.

Presidentja Vjosa Osmani tha se gjeneratat që vijnë duhet të ndjekin shembullin që la pas Shën Tereza.

“Sot përkujtojmë me shumë krenari gjithë veprën e saj, gjithë shembullin që la pas për gjeneratat që vijnë, duke treguar se janë dashuria, respekti dhe ndihma ndaj të tjerëve që duhet gjithnjë të jenë dritë, udhërrëfyes në punën tonë të përditshme”, tha ajo.

Kryeministri Kurti tha se jeta e Nënës Terezë është vepër për gjithë njerëzimin dhe shembull për njeriun. Ai po ashtu tha se ajo afirmoi edhe kombin tonë.

“Sot shënojmë 25 vjetorin e shkuarjes së saj në amshim. Jeta e Nënë Terezës është vepra për gjithë njerëzimin dhe shembull për njeriun”, tha Kurti.

“Nga një bijë e popullit tonë ajo u bë nëna e gjithë botës dhe sot ne teksa e kujtojmë atë dhe e nderojmë figurën e saj, njëkohësisht edhe afirmojmë shembullin që duhet të ndjek gjithsecili duke punuar me dashuri dhe sakrificë  për të mirën e të gjithëve”.

Ndërkaq Kryeparlamentari Konjufca tha se Nëna Terezë është shembulli më i sigurt i devotshmërisë. Ai tha se ajo gjithmonë ka qenë afër popullit tonë në ditët tona më të vështira.

 “Po e kujtojmë simbolin e rëndësishëm të kombit shqiptar, por edhe të mbarë botës, Nënën Terezë e cila është shembulli më i sigurt i devotshmërisë, besimit dhe humanizmit”, tha Konjufca.

“Shembulli i saj ka inspiruar miliona njerëz, por mos të harrojmë që në të njëjtën kohë Shën Tereza kurrë nuk e harroi kombin shqiptar. Ajo gjithmonë ka qenë afër popullit tonë në ditët tona më të vështira”.

Pas Prishtinës, presidentja Osmani e kryeministri Kurti janë duke qëndruar në Prizren. Ata vizituan muzeun “Nënë Tereza” e më pas do të marrin pjesë edhe në meshën solemne në kujtim të 25-vjetorit të vdekjes së Nënës Terezë.


MË SHUME NGA Në Fokus