Sveçla: Vuçiq kërcënoi qytetarët që pranojnë të vënë targat RKS
BKT
Lajme

Sveçla: Vuçiq kërcënoi qytetarët që pranojnë të vënë targat RKS

Muharrem Miftari/RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në konferencën me gazetarë njoftoi për, siç tha ai, dy çështje relevante që kanë ndodhur së fundi në Kosovë.

Ai, duke bërë të ditur procesin e shndërrimit të targave nga ato ilegale në legale në akronim RKS, afat i cili është i vlefshëm deri më 31 tetor të këtij viti, njoftoi se presidenti i Serbisë Alekasndar Vuçiq, përmes një adresimi të tij ndaj qytetarëve, praktikisht ka kërcënuar qytetarët serbë në Kosovë, të cilët kanë vullnet e kurajo të jenë pjesë e këtij procesi.

“Dje presidenti i Republikës së Serbisë përmendi këtë proces, ku edhe realisht  kërcënoi qytetarët e Kosovës, të cilët planifikojnë të jenë pjesë e këtij procesi të shndërrimit të targave nga ato ilegale në targa legale të RKS-së, me ç’rast përmendi fillimin e këtij procesi përmes identifikimit të dy rasteve, posaçërisht të veriut të Kosovës, ku ai tha se është një person i cili punon në institucionet e Kosovës, ku përmes kësaj ai bëri target të falangave të tyre”, tha ministri Sveçla.

Ai përmendi rastin e një rreshteri policor, Dragan Nikoliq, i cili është vënë në shënjestër të falangave serbe, të cilit i është djegur shtëpia tij, mbrëmë pas  mesnatës.

“Ne presidentit të Serbisë i themi se ky proces është i pandalshëm, se pavarësisht kërcënimeve ne do t’i inkurajojmë dhe mbrojmë shtetasit tanë, posaçërisht zyrtarët e PK-së nga të gjitha elementet kriminale të Serbisë, të cilat janë duke u luftuar në baza ditore nga institucionet e Sigurisë së Republikë së Kosovës”, tha ministri Sveçla, duke shprehur bindjen se ky proces do të vazhdojë e të përfundojë suksesshëm.

Rasti i 11 vjeçares 

Tutje ministri Sveçla përmendi edhe rastin e dhunimit të 11 vjeçarës, rasti që ka prekur gjithë shoqërinë, rast që, sikundër tha ministri,  të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës po punojnë intensivisht për të zbuluar të gjitha elementet kriminale në këtë rast.

“Pas hetimeve të PK-së, si dhe të inspektoratit të PK-së, kemi kuptuar se kemi të bëjmë me raste të shpeshta të keqpërdorimit të 11 vjeçares”, theksoi, mes tjerash, ministri Sveçla.

“Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës i kam bërë drejtpërdrejt në mënyrë që të gjithë të përfshirët në këtë rast të thirren në cilësinë e dëshmitarit, që institucionet e Kosovës, si dhe publiku të informohen drejtë mbi atë se çfarë ka ndodhur, se çfarë institucionet kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin dhe, po ashtu, sa më shpejt të jetë e mundur të dalin me të gjeturat e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë”, deklaroi, ndër të tjera, ministri  Sveçla.

“Në këtë rast janë përfshirë Prokuroria, qendrat për punë sociale, Policia e Kosovës, por edhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur dhe për të identifikuar atë se çfarë ka ndodhur, si dhe për identifikimin e dhunuesve, që, fatkeqësisht, nuk janë arrestuar të gjithë”, deklaroi ministri Sveçla.


MË SHUME NGA Lajme