08:06 / 06.09.2022
Analistët komentojnë mesazhet e letrës së përbashkët Scholz-Macron
Pajtim Çuni / Radio Kosova
Gatishmëri për vendime të vështira i kërkuan Kosovës dhe Serbisë, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në letrat që i dërguan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuqiq. Njohës të rrethanava politike thonë se vendimet e vështira mund të jenë: pranimi i pavarësisë së Kosovës, nga Serbia. E për shtetin tonë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Letra e përbashkët e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në adresë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuqiç, të cilëve i’u kërkohet gatishmëri për vendime të vështira për normalizimin e marrëdhënieve, po cilësohet si argument shtesë për ineresimin e madh që kanë këto dy shtete për arritjen marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
Duke komentuar letrën, analisti politik Artan Muhaxhiri, thotë për Radio Kosovën se këtu paralajmërohen palët për nevojën për kompromise.
“Letra paralajmëron dy liderët se një marrëveshje historike nuk mund të arrihet pa kompromise, pa vendime të dhimbshme nga të dyja palët, sepse në një kontekst kaq të komplikuar është e pamundshme palët të jenë të kënaqura në mënyrë absolute. Pra, është një paralajmërim i qartë për atë se çka i pret palët drejt rrugës për arritjen e marrëveshjes finale”, tha Muhaxhiri.
Edhe profesori universitar Dritëro Arifi vlerëson se letra e kancelarit të Gjermanisë dhe presidentit të Francës dëshmon se dy shtete e fuqishme të BE-së janë të interesuara për dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e marrëveshjes finale. Ndërkohë, Arifi tregon se cilat mund të jenë vendimet e vështira për çka i’u është kërkuar gatishmëri Kurtit e Vuçiqit.
"Kancelari Scholz ka thënë në Beograd, hapur dhe shumë qartë se njohja reciproke Kosovë-Serbi duhet të jetë në fund të dialogut, sepse pa njohje nuk do të ketë as integrim të Ballkanit Perendimorë në familjen euroatlantike. Mendoj, për Serbinë do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës, ndërsa për Kosovën mund të jetë krijimi i një asociacioni, sipas një modeli evropian. Pra, këto dy pika i shoh si pika ku mund të arrihet kompromisi”, tha Arifi.
Në letrën e kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Tutje, në letër ata kanë njoftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, se kanë ngarkuar me punë, këshilltarët e politikës së jashtme dhe sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, për të mbështetur në projektet e tij, Miroslav Lajçakun, të dërguarin e posacëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.























