SBASHK: Prindërit të heqin dorë nga metoda për ta thyer grevën
V.Thaçi / RTKlive
Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut, përmes një reagimi ka deklaruar se ditët e fundit ka presione të vazhdueshme ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke u munduar ta shantazhojnë.
Këshilli grevist u ka bërë apel prindërve që të heqin dorë nga metoda e presionit ndaj grevistëve, pasi sipas tyre, në këtë formë në asnjë mënyrë greva nuk mund të ndërpritet.
“Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut, po përcjell në vazhdimësi tani e 13 ditë rrjedhën e grevës në institucionet arsimore ku ka vërejtur se ditët e fundit ka presione të vazhdueshme ndaj kryetarit të SBASHK-ut z.Jasharaj, duke u munduar ta shantazhojnë e etiketojnë me postime të rrejshme, pastaj përgatitja e tentim sulmit fizik gjatë vizitës së tij që u bëri grevistëve”, thuhet në reagimin e tyre të postuar në rrjetin social Facebook.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës, thonë se presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë - rasti i djeshëm i vizitës së Kryeministrit Kurti në Podujevë, ashtu edhe nga një numër i vogël i prindërve me fëmijët e tyre (nxënësit) që tentojnë ta thyejnë grevën.
“Ju bëjmë apel prindërve që edhe përkundër që numri është i vogël që tentuan me nxënës ta thyejnë grevën me presion ndaj grevistëve, që të heqin dorë nga kjo metodë, sepse në këtë formë në asnjë mënyrë greva nuk mund të ndërpritet. Presionin ta orientojnë drejt Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për të filluar punën institucionet arsimore”, thuhet tutje.
Sipas reagimit, Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut është duke i përcjell me vëmendje dezinformatat nga kushdo qoftë, të cilat kanë qëllimin e vetëm përçarjen e anëtarësisë sonë.
“ Të gjitha këto do ti paraqesim pranë organeve të drejtësisë”.
Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut, apelojnë te organet e rendit dhe organet tjera që me vëmendje ti përcjellin rastet si ai i djeshmi ndaj kryetarit Jasharaj dhe tentuesit e prishjes se rendit t’i vejnë para organeve të drejtësisë, po ashtu edhe nxitësit të cilët me dezinformata të ndryshme nxisin këto sulme.
Vazhdon greva në arsim dhe administratë publike
Qëndresa Duraku - Xharra /RTK
Me gjithë kërkesën e përfaqësuesve të institucioneve, as sot nuk do të fillojë viti i ri shkollor si pasojë e grevës, e cila ka filluar që nga 25 gushti. Përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit kanë deklaruar se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.
Ndërkaq dje, kryetari SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë vizituan shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, ku diskutuan me mësimdhënësit lidhur me grevën, ndërsa pas përfundimit të takimit u krijua një situatë e tensionuar në ambientet e shkollës, pasi një person tentoi ta sulmojë Jasharajn. Me rastin po merret Policia e Kosovës.
Ishte në përfundim të takimit me mësimdhënësit grevistë në shkollën të mesme të ulët, Ismaji Qemali në kryeqytet, kur kreun e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, u tentua të sulmohej nga një person i cili u deklarua të jetë gjysh i një nxënëseje.
Drejtoresha e kësaj shkolle Mimoza Veseli, e ka quajtur normale reagimin e gjyshit të nxënëses.
"Normal që janë të nervozuar, janë të revoltuar prindërit e moshum dhe janë gjyshërit të cilat i kanë kërkesat e tyre, mirëpo ne po mundohemi me i kuptuar në mënyrën qysh ne i kuptojmë"
Ndërkaq, Naim Bytyqi kreu i shoqatës sindikale të kësaj shkolle, thotë se sulmi ndaj kreut të SBASHK-ut ishte i orkestruar nga prindërit.
"Sepse diçka të tillë nuk patëm deri më sot, prindërit i kemi njoftuar në mënyra tona të përditshme që i njoftojmë nëpërmjet grupit të shkollës, në kontakt me kujdestarët e klasave dhe me mësuesit dhe janë të njoftuar nga shtypi dhe televizionet që greva vazhdon, pasi që nuk u arrit një marrëveshje e dëshirueshme edhe për neve mësimdhënësit që mësimi të filloj me 5 shtator, sot", tha Bytyqi.
Një gjysh tjetër i cili kishte sjellë nipin e tij në shkollë, për të kuptuar për së afërmi për procesin mësimor, shprehu pakënaqësinë për mënyrën e mbajtjes së grevës.
"Edhe unë kam qenë mësues i matematikës, 43 vjet kam punuar në arsim, veç unë për veti nuk kisha pranu kështu me i lënë nxënësit në shtëpi , e unë (mësuesit) me ndejt në sallë gjithë ditën aty. Kjo më duket e pa kuptimtë. Unë të pa drejt e vlerësoj grevën, këto kushte janë. Ne p.sh. në vitet e 80-ta kemi punuar pa pare hiç, edhe policia serbe ka ndejt aty dhe ne e kemi mbajt mësimin. Pse mos me mbajt mësimin tash. Ka mënyra tjera p.sh.me majt mësimin e me dal në protesta para Qeverisë me shkuar e me kërkuar, ashtu ka qenë me e drejt sesa me ndërpre mësimin", tha Ymer Ymeri, veteran i arsimit.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për tentim sulmin ndaj kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj, ka deklaruar se me urdhër të prokurorit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Kanosje”, si dhe është autorizuar policia për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje.























