Ministrja Haxhiu paralajmëron mërgimtarin që u tall për rastet e pedofilisë
J.Musliu/RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, reagoi të martën, pas kritikave ndaj saj lidhur me deklaratën se do ta ndjekë penalisht një mërgimtar.
“Pedofilët dhe ata të cilët i normalizojnë e tallen me këto krime nuk dallojnë dhe aq”, shkroi ministrja e Drejtësisë në llogarinë e saj në Facebook.
“Relativizimi dhe përqeshja e pedofilisë, vetëm sa do ta rëndojë situatën dhe do t'i shtojë pedofilët e do ta normalizojë këtë krim”, deklaroi ajo.
Ky reagim i ministres Haxhiu, pason një postim të saj të publikuar të hënën, kur shkroi gjithashtu në llogarinë e saj në Facebook, se do ta raportojë në polici një mërgimtar që kishte ironizuar me një postim që e kishte bërë ajo në Facebook.
Në atë postim, ajo kishte treguar për një rast të tentim-dhunimit të një 14-vjeçareje.
Haxhiu kishte shkruar se një prind e ka lajmëruar në Ministri të Drejtësisë, se në dhjetor të vitit të kaluar vajza e tij 14-vjeçare, ishte viktimë e një tentim-dhunimi.

Sipas Haxhiut, prindi ka treguar se ndonëse dihet emri dhe mbiemri i të dyshuarit, ai gjendet në liri.
Ndërkohë, me këtë postim ka ironizuar një mërgimtar dhe kjo ka acaruar Haxhiun.
Mërgimtari K.B, që sipas informatave në Facebook jeton në Austri, ka thënë në një postim tjetër se është tallur me paaftësinë e ministres Haxhiu dhe i ka bërë thirrje asaj të japë dorëheqje.
E ndaj këtyre deklarimeve në ministres Haxhiu të bëra në rrjetet sociale, ka reaguar Sibel Halimi, zëdhënëse e LDK-së.
Ajo u shpreh se postimi i rasteve nga ministrja e Drejtësisë është e përçudshme.
“Ministrja do të duhej të hartojë politika mbi rezultate të hulumtimeve të detajshme, të organizojë takime me prokurorë, gjyqtarë e organizata të shoqërisë civile”, u shpreh Halimi në një reagim të saj publik.
“Qasja e saj tërësisht e gabueshme, ndjellë frikë dhe aspak nuk i ndihmon parandalimit e raportimit të rasteve të abuzimeve e dhunimeve seksuale”, tha Halimi.
Sipas zyrtares nga LDK-ja, fushatat vetëdijësuese krijohen nga profesionistët ku përfshihen të gjithë akterët, jo statuse të pamenduara mirë për efektet e saja!
“Statusi i saj nuk është asgjë tjetër, pos përpjekje për të demonstruar fuqinë e pushtetit!”.























