Rita Ora përlotet për abuzimin e 11 vjeçes
K. Kasumi/ RTKlive
Këngëtarja Rita Ora u përlot në një konferencë për medie kur foli për rastin e përdhunimit të 11 vjeçes në Kosovë.
Ajo tha se emocionohet shumë për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Kosovë dhe se prindërit e komuniteti duhet të punojnë me këta të rinj që rastet të mos përsëriten.
“Ju kërkoj ndjesë sepse mund të jem pak emocionale në këtë mesazh që po jap. Vetëm pak kohë më përpara, ajo që ndodhi në Kosovë, një ngjarje shumë e rëndë, na bëri të kujtojmë edhe një herë se sa e rëndësishme është të kemi një fokus në këto çështje të rëndësishme sociale dhe se sa e rëndësishme është për prindërit dhe komunitetin që të punojnë me këta të rinj, të punojnë me fëmijët që këto ngjarje të mos përsëriten”, theksoi Rita Ora.
Ajo ftoi të rinjtë të jenë pjesë e koncertit që do të mbahet sonte në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe që do të jetë falas për të gjithë.
Aktualisht janë 11 persona të arrestuar të dyshuar se e kanë trafikuar dhe abuzuar seksualisht të miturën.























