Lambrecht: Pa paqe në Ballkan nuk ka qendrueshmëri në Evropë
DW
( E plotësuar) Ministrja gjermane e mbrojtjes priti në takim pune homologun kosovar, Armend Mehaj.
Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, priti të martën (6.02.) në Berlin, homologun e saj nga Kosova, Armend Mehaj. Siç bëjnë të ditur burime të DW pranë Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, në takim është biseduar për gjendjen në Kosovë dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
„Pa paqe në Ballkan, nuk ka stabilitet në Evropë“, shkroi ministrja Lambrecht pas takimit në një mesazh në Twitter: Ajo përshëndeti marrëveshjen e arritur kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovëspër rregullat e hyrje-daljeve. Por paralajmëroi se "do të duhet frymëmarrje e gjatë"
Lambrecht siguroi mbështetjen e Gjermanisë në procesin e transformimit të Ushtrisë së Kosovës.
Së fundmi, kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti, ishte shprehur për një prezencë më të rritur të ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë.
Mandati aktual i ushtarëve gjermanë të KFOR-it, vazhdimi i të cilit u miratua në korrik nga Parlamenti Gjerman, parashikon dërgimin e deri më 400 ushtarëve, në rast nevoje. Aktualisht aty janë të stacionuar rreth 70 ushtarë gjermanë.
Së fundmi, Gjermania së bashku me Francën kanë treguar iniciativë për një angazhim më të fortë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Të premten, më 9 shtator, dy këshillltarët për çështje të jashtme të kancelarit gjermanm, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, do të shkojnë në Kosovë dhe Serbi për të parë se cilat janë opsionet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas qarqeve qeveritare në Berlin, dy këshilltarët pritet të kërkojnë me ngulm nga dy palët gjetjen e një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve.
Ministri Mehaj u prit në Berlin nga homologia gjermane, Lambrecht
Emine Hoti/ RTKlive
Në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Gjermani, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë - Bundeswehr, u prit nga homologia e tij, ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht dhe stafi i saj.
Siç ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes, Mehaj, ka biseduar për bashkëpunim mes Kosovës e Gjermanisë në fushën e mbrojtjes si dhe në thellimin e bashkëpunimit mes dy ministrive.
"Nga ana e tij, krahas shprehjes së falënderimit për mbështetjen e madhe në ndërtimin dhe zhvillimin e FSK-së, Ministri Mehaj ritheksoi mirënjohjen e thellë për investimet gjermane në vendin tonë si dhe për kontributin shumë të çmueshëm të trupave ushtarake të forcave gjermane në operacionin e KFOR-it në sigurinë e vendit dhe qytetarëve tanë", thuhet në njoftimin e Ministrisë e Mbrojtjes së Kosovës.

Ndërsa ministrja Lambrecht shprehu mirënjohjen për mbështetjen e operacionit humanitar të NATO-s nga FSK për evakuimin e afganëve, mbështetjes së popullit dhe Qeverisë së Ukrainës dhe sanksioneve kundër Rusisë si dhe ofroi mbështetjen në vizionin tonë për anëtarësim në NATO.
Ministri Mehaj në vizitë zyrtare në Gjermani

Me ftesë zyrtare nga autoritetet më të larta të Universitetit të Forcave të Armatosura - Helmut Schimdt, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjendet për vizitë zyrtare në Republikën e Gjermanisë.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj vizite, Mehaj do të realizojë takim me homologen gjermane, ministren e Mbrojtjes, znj. Christine Lambrecht, takim ky i pari i një ministri të mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Bundeswehr.
Gjithashtu gjatë kësaj vizite, Ministri Mehaj do të realizoj edhe takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës që organizohet nën patronatin e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së, në Ramstein.
"Vizita e ministrit Mehaj në Gjermani, pas vizitave të ndërsjella në nivel ministrash është me rëndësi shumë të madhe për proceset zhvillimore të vendit në përgjithësi dhe për proceset zhvillimore e integruese të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në veçanti", thuhet në njoftimin për media nga Ministria e Mbrojtjes.























