Zyrtare: Ambasadori i Kosovës në Kroaci po hetohet nga Prokuroria
BKT
Foto: Ambasada e Kosovës ne Kroaci
Lajme

Zyrtare: Ambasadori i Kosovës në Kroaci po hetohet nga Prokuroria

J.Musliu/RTKlive

Disa muaj pas dyshimeve se nuk ka raportuar pasurinë dhe e ka fshehur një pjesë të saj nga deklarimi në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, rezulton se është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Këtë e konfirmon për RTKLlive, Prokuroria Themelore në Prishtinë. “Mund të konfirmojmë se rasti është duke u hetuar”, thotë  Laureta Ulaj, zëdhënëse në këtë prokurori.

Hetimet ndaj Berishajt kanë nisur pasi Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj tij.

Ai dyshohet për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë, pasi në formularin e deklarimit më 2021, pasi është dekretuar si ambasador i Kosovës në Kroaci, i njëjti nuk i ka deklaruar aksionet e tij në kompaninë private “MB Consulting”.

Gjithashtu, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.


MË SHUME NGA Lajme