Akademik Mehmet Kraja, intervistë sonte në “RTK Prime”
RTKlive
Sonte në emisionin “RTK Prime” i ftuar është kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Kreu i akademisë do të flasë për shumë tema dhe përballë gazetarit Bashkim Vishaj, do të shpalosë qëndrimin e tij dhe të institucionit që drejton, mbi disa çështje që në disa raste cilësohen edhe si kontroverse.
Cili është qëndrimi i akademik Mehmet Krajës për bartjen ose jo të shamive në shkolla? A është kjo e drejtë e vajzave në kuadër të lirisë dhe të drejtave të njeriut, apo thjesht një manipulim i partive politike?
Kreu i ASHAK-ut do të flasë edhe për grevën në arsim dhe administratën publike. Si e cilëson Kraja këtë grevë, a është vërtetë e thirrur për interesa të mësimdhënësve apo prapa tyre fshihet gjithashtu politika?
Më tej në këtë intervistë, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, do t’u përgjigjet edhe zërave që kritikojnë vetë ASHAK-un, për heshtjen e këtij institucioni karshi zhvillimeve të mëdha politike në vend dhe rreth vendit.
Cili është opinioni i Krajës për procesin e dialogut Kosovë-Serbi?
Sa i përket zhvillimeve rajonale, çfarë mendon Kraja për kryeministrin e shkarkuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq? A ka punuar Abazoviq, sipas Krajës, pro apo kundër Kosovës për këta muaj sa ishte në krye të Qeverisë së shtetit fqinj.
Cili është vlerësimi dhe opinioni që kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, jep për Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë?
Për këto dhe shumë tema të tjera, sonte në RTK në orën 20:20 minuta në “RTK Prime”, intervistë me Mehmet Krajën, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.























