Kryeministri në takime të ndara me NDI e Micheline Calmy Rey nga Zvicra
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kryeministri në takime të ndara me NDI e Micheline Calmy Rey nga Zvicra

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar drejtorin Rajonal të NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin dhe drejtoren e kësaj organizate për Kosovë, Nancy Soderberg. Ndërkohë në një tjetër takim ka pritur edhe Micheline Calmy Rey, ish Presidente federale e Departamentit të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane, njëheri presidente e fondacionit “Avni Orllati”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot Drejtorin Rajonal të NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin dhe drejtoren e kësaj organizate për Kosovë, Nancy Soderberg.

Siç bëhet e ditur nga Qeveria, gjatë këtij takimi u bisedua për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe transparencën.

Kryeministri ka thënë se NDI mund të ndihmojë edhe më tej në demokratizimin e partive politike dhe në mbështetjen dhe forcimin e shoqërisë civile.

“Demokracia është e lidhur me respektimin e promovimin e të drejtave të njeriut dhe se të drejtat bazike të njeriut nuk duhet të fitohen, sepse ato na takojnë për vet faktin që ekzistojmë”, ka thënë kryeministri kosovar në takim.

Siç citon komunikata, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm dhe një shoqëri civile të fortë dhe se Republika e Kosovës është shembull rajonal në këtë drejtim.

Kryeministri Kurti gjithashtu ka theksuar nevojën për të dhëna cilësore dhe analizë të të dhënave që duhet të vijnë nga institutet e që ndihmojnë vendimmarrjen dhe i ftoi përfaqësuesit e NDI për bashkëpunim në këtë drejtim.

Ndërkohë, drejtori Rajonal i NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Benjamin, sipas njoftimit qeveritar, ka shprehur gatishmërinë për ta rritur më shumë praninë e tyre sikurse edhe bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit dhe institucionet tjera për promovimin e qeverisjes së mirë dhe demokracisë.

Ai tha se është evidente që ka një betejë ndërmjet demokracisë dhe autokracisë, dhe theksoi rëndësinë që integriteti i informacionit dhe luftimi i dezinformimit ka në këtë rast.

Ndërkohë, në zyrën kryeministrore,  në një tjetër takim, kryeministri ka pritur edhe Micheline Calmy Rey, ish Presidente federale e Departamentit të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane, njëheri presidente e fondacionit “Avni Orllati”.

Shefi qeveritar siç thuhet në njoftim, shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e Zvicrës dhënë Kosovës para dhe pas luftës.

Calmy Rey u interesua për zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në rrafshin e ekonomisë derisa thuhet se përgëzoi kryeministrin për punën e Qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet rajonale si dhe planet për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Të pranishëm aty ishin edhe Ministri i Financave Hekuran Murati, fitues i çmimit “Ndërmarrësi i vitit 2020” në Zvicër, Avni Orllati, si dhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli.

Bëhet e ditur se në këtë takim është biseduar edhe për planet dhe projektet që fondacioni “Avni Orllati” planifikon të zhvillojë në Kosovë.

 


MË SHUME NGA Lajme