Ministrja Haxhiu padi ndaj komentuesit, ai vjen nga Austria|Video
BKT
Lajme

Ministrja Haxhiu padi ndaj komentuesit, ai vjen nga Austria|Video

Valjete Shala/ RTK

Bashkatdhetari Korab Blakaj i cili i komentoi ministres së Drejtësisë në postimin e saj të mbrëmshëm ku tregoi rrëfimin e një prindi, nesër do të udhëtojë nga Vjena për në Prishtinë.

Ende nuk dihet nëse është raportuar ky rast në polici siç paralajmëroi ministrja, por nga njohësit e ligjit thonë se komenti i qytetarit nuk ishte aspak i hijshëm por nuk përmban elemente të veprës penale.

Përmes këtij postimi, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, tregoi rrëfimin e një prindi që i kishte shkuar në zyrë për ta raportuar një tentim dhunimi të vajzës së tij 14 vjeçe.

Në këtë postim të ministres, u përfshi me koment bashkatdhetari Korab Blakaj, i cili rrezikon të përballet me drejtësinë kosovare pasi ministrja tha se do ta raportojë në polici.

"Personat e tillë që tentojnë të tallen me fëmijët e dhunuar, duhet të ndiqen penalisht dhe qysh nesër do ta raportoj në polici", ka shkruar ministrja në Facebook duke e bashkëngjitur komentin e Blakajt.

Se a është raportuar ky qytetar në polici, RTK nuk ka marrë përgjigje ende nga Ministria që drejton Albulena Haxhiu. As qytetari Korab Blakaj sot nuk ka qenë në dispozicion të flasë, pasi nesër do të udhëtojë nga Vjena për në Prishtinë.

Për këtë çështje kanë folur sot në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

“Tallja me rastet e tilla nuk është normale dhe e zakonshme që duhet të bëhet. Por edhe reagimi që ka bërë ministrja konsiderohet jo- serioze. Tallja nuk është vepër penale dhe nuk duhet të interpretohet nga një ministre e drejtësisë”, tha Lavdim Makshana nga IKD.

Edhe avokatët e konsiderojnë si koment të pahijshëm atë që ka shkruar bashkatdhetari, por nuk e shohin si rast me elemente të veprës penale.

“Mendoj se reagimi i ministres ka qenë pak i ngutshëm duke pretenduar se do ta ndjek penalisht personit që ka bërë tallje, të pahijshëm për mendimin tim sepse është ngjarje që na ka trondit të gjithëve. Nuk është deshtë të bëhet ai postim por që në asnjë mënyrë nuk e përmbush asnjë element të veprës penale”, tha Leonora Dervishaj- Pacolli, avokate.

“Tek ne në Kosovë, në rrjetet dhe televizioneve është bërë praktike jo e mirë që akterët politik e figura tjera të deklarohen për disa çështje shume te ndjeshme siç është edhe rasti i fundit. Nuk është deshtë te komentohet në këtë forme aq të madhe sepse ndjeshmëria ndaj të miturës dhe të miturve në përgjithësi është e ndjeshme dhe është e ndaluar edhe me ligj, sikurse përdorimi edhe i emrave etj”, tha Faton Hyseni- avokat.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme ministrja e drejtësisë ka komentuar sërish për këtë çështje. "Pedofilët dhe ata të cilët i normalizojnë e tallen me këto krime nuk dallojnë dhe aq. Relativizimi dhe përqeshja e pedofilisë, vetëm sa do ta rëndojë situatën dhe do t’i shtojë pedofilët e do ta normalizojë këtë krim!”, u shpreh Haxhiu.

 


MË SHUME NGA Lajme