Qeveria e Kosovës nën sulm kibernetik nga jashtë, sigurohet sistemi
BKT
Foto: Ilustrim
Lajme

Qeveria e Kosovës nën sulm kibernetik nga jashtë, sigurohet sistemi

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se përgjatë dy ditëve , dje dhe sot ka pasur probleme të kohëpaskohshme me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës.

“Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik. Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës së rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”, ka treguar Kryeziu.

Ai ka treguar se është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, gjegjësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit”, ka shtuar ai.

Por, aktualisht sipas Kryeziut gjendja është stabile dhe se shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme.

“Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI do të vazhdojë me monitorimin e sigurisë së shërbimeve dhe sistemeve qeveritare dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e funksionimit dhe sigurinë e tyre”, ka shkruar zëdhënës qeveritar.


MË SHUME NGA Lajme