Pahor: Nuk është diçka e re, me Serbinë kemi dallime për Kosovën
V.Xhoxhaj / B. Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Në këtë konferencë për media me presidentin slloven, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u pyet edhe për deklarimin e Listës serbe e cila sot u shpreh se nuk e mirëpret vizitën e saj në katër komunat në veri të vendit.
Presidentja osmani deklaroi e kjo parti duhet të punojë për të mirën e qytetarëve serbë të Kosovës dhe jo të grupeve kriminale si edhe për llogari të presidentit Vuçiq.
Ajo tha se është presidente e tërë qytetarëve të Kosovës, pa dallim ,prandaj edhe vizita e saj në komunat e vendit zhvillohet në këtë frymë.
Ajo u shpreh se janë qytetarët serbë të Kosovës që po frikësohen, por jo nga ajo, por grupet kriminale në veri.
"Unë jo vetëm që jam presidente e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë por jam edhe Komandante Supreme e ushtrisë së këtij vendi, e cila në mesin e saj ka edhe shqiptarë, serbë, turq e të komuniteteve tjera”, tha ajo.
Presidentja osmani tha se Kosova qëndron fuqishëm krah Shqipërisë, dhe vendimit të fundit të këtij shteti që të përzë stafin e ambasadës së Iranit nga Shqipëria, për shkak të sulmeve kibernetike që mbi këtë vend janë drejtuar nga shtetit iranian.
Ajo rikujtoi e është e qartë se cilat shtete janë të drejtuara nga autoritarizmi e cilat nga demokracia.
Ndërkohë, presidenti slloven u pyet për deklaratën e presidentit të Serbisë, Vuçiq i cili ka thënë se Sllovenia ka shkelur integritetin territorial të Serbisë, kur ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Pahor tha se të gjithë e dinë se Sllovenia e Serbia kanë qëndrime të ndryshme sa i përket Kosovës.
“Ne e kemi pranuar këtë shtet dhe Serbia nuk e ka bërë këtë. Këto deklarime janë të njëjta me ato që diferenca që ekzistojnë”, tha Pahor.
"Deklarata e presidentit Vuçiq ishte e papranueshme dhe tendencioze”, u shpreh Pahor.
Ai tha se duhet vazhduar të kërkohet në pikat që na bashkojnë dhe jo na ndajnë.
Pahor: Të kërkojmë zgjidhje në rrugë paqësore
Nga ana e tij, presidenti slloven, Pahor theksoi se është i gatshëm të flasë për temat me rëndësi siç janë përgatitjet për Samitin e Brdo –Brjunit, liberalizimi e kriza energjetike.
"Shumë herë është përmendur ngecja e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit dhe ky dialog duhet të vazhdohet edhe më tej", tha Pahor.
Ai shtoi se është i lumtur për ato lëvizje që deri më tani kanë ndodhur në kuadër të dialogut.
“Ne e dimë se ku jemi e ku nuk jemi dakord dhe ne jemi të detyruar të kërkojmë zgjidhje në rrugë paqësore”, tha Pahor.
Ai nënvizoi se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut.
Nga ana e saj, presidentja Osmani tha se lista e marrëveshjeve është shumë e gjatë dhe po e veçon vetëm një, atë për sundimin e ligjit.
“Serbia jo vetëm që nuk e ka bërë këtë por vazhdon të fuqizoj e financojë ato”.
Osmani tha se Kosova ka zbatuar 99 % të marrëveshjeve përveç atë për asociacionin. “Këtu duhet të theksoj se ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha presidentja Osmani, duke rikujtuar se Kosova në këtë dialog është për njohje reciproke.
Osmani: Sllovenia t’i japë shtytje të fundit procesit të liberalizimit
Blerim Halimi/RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidentin eSllovenisë, Borut Pahor, ka theksuar se Kosova pret që shteti slloven do t’i japë një shtytje të fundit procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Ne kemi nevojë për përkrahjen dhe lidershipin tuaj në mënyrë që rrugëtimi jonë drejt strukturave euroatlantike të përmbyllet sa më shpejtë dhe me sukses. Dyert e BE-së dhe NATO-së jo vetëm që duhet të jenë të hapur për vendet që vërtetë i përfaqësojnë dhe frymojnë me vlerat e tyre, por është koha e fundit që të kuptohet qartë se prezenca në këto struktura është garanci për paqe dhe zhvillim të plotë”, ka theksuar Osmani, në konferencën e përbashkët me presidentin Pahor.
Ajo tutje ka thënë se mbeten besimplotë që Sllovenia do të vazhdojë të mbetet zëri i Kosovës aty ku nuk mund të jenë të pranishëm drejtuesit e institucioneve të vendit.
“Gjersa po i afrohemi liberalizimit të vizave për Kosovën, kërkoj edhe një herë që t’i jepni një shtytje të fundit këtij procesi në mënyrë që edhe qytetarët e Republikës së Kosovë të kenë mundësi ta vizitojnë vendin tuaj të bukur por edhe gjithë Evropën njësoj si evropianët e tjerë”, ka shtuar Osmani.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ajo ka thënë se zgjidhja e vetme për stabilitet afatgjatë është njohja reciproke mes dy vendeve.
Presidenti Pahor arrin në Kosovë, pritet me nderime shtetërore
Presidenti slloven, Borut Pahor ka arritur në Kosovë në kuadër të përgatitjeve për samitin e 11-të të procesit Brdo-Brioni, që mbahet më 12 shtator.
Presidenti slloven është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani.
Presidenca sllovene për RTKlive tregon arsyen e vizitës së Pahor në Kosovë
Jeton Musliu/RTKlive
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, vjen sot për vizitë zyrtare në Kosovë. Në fakt, kjo është vizita e tij e dytë, brenda disa muajsh.
RTKlive ka pyetur presidencën e Sllovenisë, për arsyen e këtij takimi, meqë brenda harkut kohor prej katër muajsh, presidenti slloven ishte për vizitë zyrtare në Kosovë dhe presidentja Vjosa Osmani ishte në Slloveni.
“Qëllimi i takimit/vizitës është përgatitja për takimin e liderëve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni, i cili do të mbahet më 12 shtator në Slloveni”, thuhet në përgjigjen zyrtare për RTKlive, nga Presidenca e Sllovenisë.
Presidenca sllovene konfirmon se presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë vizitës në Kosovë, do të takohet me Presidentin e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti.
Interesimi i Sllovenisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor së fundmi është shtuar. Ky shtet ish -jugosllav, ka emëruar edhe një emisar special për këtë rajon.
Agjenda e vizitës së presidentit Pahor
RTKlive
Presidenti slloven, Borut Pahor do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për samitin e 11-të të procesit Brdo-Brioni, që mbahet më 12 shtator.
Presidenti slloven në orën 15:00 pritet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani-Sadriu, me gardën e nderit të FSK-së dhe më pas zhvillohet takimi kokë më kokë në zyrën e presidentes. Nga ora 15.35 deri në orën 16.00 mbahen bisedimet plenare mes dy delegacioneve, derisa në orën 16:05 të dy presidentët paraqiten para mediave.
Pas takimit me presidenten Osmani, kreu i shtetit slloven në orën 16:35 i shkon në konak kryeministrit Albin Kurti.























