Kurti i shkruan kryeministres Truss: Presim ta ndihmoni Evropën
Blerim Halimi / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi znj.Liz Truss, me rastin e emërimit si kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar.
“Kontinenti ynë përballet me sfida të shumta, që kërkojnë një përgjigje të koordinuar dhe unë ndihem i lehtësuar nga vizioni i qartë, që e theksuat në dy takimet tona në fillim të këtij viti”, ka shkruar kryeministri Kurti në letrën drejtuar kryeministres së re britanike.
Tutje kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se pret me padurim udhëheqjen e znj. Truss për ta ndihmuar Evropën dhe pjesën tjetër të botës të navigojnë nëpër këto kohë të vështira si pasojë e pandemisë Covid-19, krizën e energjisë dhe koston e rritur të jetesës, së bashku me autoritarizmin në rritje dhe agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.
“Ju lutem, të jeni e sigurt se, teksa e bëni këtë, mund të mbështeteni në partneritetin, bashkëpunimin dhe solidaritetin e Kosovës”, ka shkruar më tej kryeministri.
Ai ka shprehur mirënjohjen e Republikës së Kosovës për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në luftën çlirimtare të popullit të Kosovës kundër një regjimi gjenocidal.
“Mbretëria e Bashkuar zë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit të Kosovës, sepse ju na mbështetët në luftën tonë çlirimtare kundër një regjimi gjenocidal. Nuk do të harrojmë kurrë; dhe u jemi përgjithmonë mirënjohës. Qeveria jonë po punon shumë për t'i realizuar premtimet e saj për vende pune dhe drejtësi për qytetarët tanë duke investuar në kapitalin njerëzor, duke mbyllur hendekun e aftësive përmes ringjalljes së cilësisë së arsimit tonë, dhe duke reformuar sistemin e drejtësisë”, ka theksuar Kurti.
Në përmbyllje të letër urimit, kryeministri Kurti ftoi kryeministren Truss për vizitë në Kosovë, në mundësinë e parë të përshtatshme për të.























