Xavi çon në qiell Lewandowski-n e Dembele-n
BKT
Sport

Xavi çon në qiell Lewandowski-n e Dembele-n

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka lavdëruar Robert Lewandowski dhe Ousmane Dembele-n pas fitores kundër Viktoria Plzen.

Sulmuesi polak shënoi het-trick në fitoren e mbrëmshme kundër Viktoria Plzen (5-1), në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Në listën e shënuesve ishin edhe Franck Kessie dhe Ferran Torres, derisa Dembele bëri paraqitje fantastike.

Tekniku i katalonasve pas ndeshjes tha se fitoret gjithnjë sjellin besim dhe rrisin moralin.

“Fitoret sjellin besim, ato rrisin moralin. Shumë lojtarë shkojnë në shtëpi duke e ditur se kanë pasur ndeshje të mirë. Por, nuk ka vend për eufori. Kjo fitore na jep vetëm tri pikë”, tha Xavi.

“Ousmane po luan kaq mirë. Gjithmonë e kam parë një djalë që ka aftësi të mahnitshme, i krahasueshëm me Neymarin. Ka shumë pak lojtarë si ai në botë. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tij”.

“Roberti është i pangopur - për të shënuar dhe për të fituar”.

“Unë nuk e di nëse Roberti është sulmuesi më i mirë në Evropë, por për ne ai është më i miri. Ai na ndihmon të luajmë. Ai na sjell shumë zgjidhje në sulm. Lojtar i pjekur dhe krejtësisht spektakolar”, theksoi strategu katalonas.