Kurti: Kush udhëheq me pavarësinë e gjyqësorit?
BKT
Foto: RTK
Lajme

Kurti: Kush udhëheq me pavarësinë e gjyqësorit?

Emine Hoti/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar Gjykatën Themelore në Prishtinë për “kuptimin e urgjencës” me të cilat i trajton lëndët.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka kritikuar Gjykatën Themelore për heshtje ndaj kërkesës së asambleistëve të VV-së në rastin ndaj NPB-së.

Për dallim nga ky rast, ai ka marrë shembuj të “punës së shpejtë” të Gjykatës, rastin e PDK-së kundër tarifave të rrymës dhe kërkesëpadinë e ish-drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

“Një muaj heshtje ndaj kërkesës së asambleistëve për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë. Masa e sigurisë, analoge me atë të masës së përkohshme, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë. Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë. Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike. Ndërsa kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Gjykata e trajton pas 48 orësh”, ka shkruar Kurti.

Në fund të shkrimit kryeministri  Kurti ka shtruar tri pyetje për punën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve?

Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve?

Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit?


MË SHUME NGA Lajme